Halim Kryezi, (Kerzi, Akinci), i cili vetëm pak ditë më parë u paraqit publikisht si viktimë e fajdes, po del tash në qendër të një historie krejt tjetër, shumë më serioze se rrëfimi që dha para kamerave.
Sinjali ka siguruar ekskluzivisht dokumentacion që tregon se personi që në Kosovë njihet dhe prezantohet si Halim Kerzi rezulton edhe me identitet tjetër, ndërsa sipas burimeve të sigurta të gazetës, ai kërkohet nga autoritetet e Turqisë për trafikim ndërkombëtar të substancave narkotike.
Dokumenti që ka siguruar Sinjali përmban fotografi dhe të dhëna identifikuese të personit, ndërsa për shkak të mbrojtjes së të dhënave personale, gazeta ka mbuluar numrin personal dhe elementet tjera sensitive.
Zbulimi merr peshë të veçantë pikërisht për shkak të profilit me të cilin Kerzi është paraqitur ditët e fundit në publik.
Ai u shfaq në KALLXO.com si një prej personave që pretendon se është viktimë e fajdes, ndërsa emri i tij ishte bërë i njohur edhe më herët për një tjetër histori që kishte marrë vëmendje në rrjete sociale.
Miku i tij, berberi Riza, e kishte reklamuar si klientin që kishte paguar hiç më pak se 1 mijë euro për një qethje.
Por tani, pas dokumentacionit të siguruar nga Sinjali, historia e tij merr një dimension krejt tjetër.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se autoritetet turke e kërkojnë Kerzin në lidhje me trafikim ndërkombëtar të narkotikëve dhe se të dhënat e tij figurojnë në dokumentacionin përkatës të kërkimit.
Në të njëjtën kohë, dokumentet e siguruara nga gazeta ngrenë pikëpyetje serioze rreth identitetit me të cilin ai është prezantuar në Kosovë.
Këto të dhëna marrin peshë edhe më të madhe pas reagimit publik të avokatit Besnik R. Berisha, i cili kishte ngritur pikëpyetje për disa identitete, të kaluarën penale dhe besueshmërinë e denoncuesit në raport me procedurën që po zhvillohet.
Në këtë pikë, çështja nuk është më vetëm se çfarë ka deklaruar Kerzi para kamerave.
Pyetja është se çfarë kanë ditur institucionet e Kosovës për identitetet e tij, statusin e tij ndërkombëtar dhe kërkesën e autoriteteve turke — dhe pse deri tani nuk është ndërmarrë veprimi përkatës.
Sinjali ka mësuar se për autoritetet kosovare pengesa procedurale lidhet me sigurimin e dokumentacionit përkatës nga autoritetet turke, ndërsa mbetet të shihet nëse dhe kur ky mekanizëm do të aktivizohet.
Historia e Halim Kerzit, kështu, nuk mbetet më vetëm histori e një denoncuesi që pretendon se është viktimë fajdeje.
Ajo tash përfshin disa identitete, një kërkim ndërkombëtar dhe dyshime për trafikim ndërkombëtar të narkotikëve, çështje për të cilat institucionet kompetente pritet të japin përgjigje.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


