Tuesday, September 15, 2026
spot_img
HomeLajmeLEX | “Toka” në duart e Apelit – mbrojtja e Azem Sylës...

LEX | “Toka” në duart e Apelit – mbrojtja e Azem Sylës kërkon të mbetet në fuqi aktgjykimi lirues

Në Gjykatën e Apelit po shqyrtohen ankesat kundër aktgjykimit të shkallës së parë në rastin e njohur si “Toka”, në të cilin Azem Syla ishte liruar nga akuzat, ndërsa nëntë të pandehur të tjerë ishin dënuar me gjithsej 39 vjet burgim dhe 260 mijë euro gjobë, raporton Gazeta Sinjali.

Mbrojtësi i Azem Sylës, avokati Besnik Berisha, kërkoi nga kolegji i Apelit që ankesa e Prokurorisë Speciale të refuzohet dhe të vërtetohet aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Mbrojtja argumentoi se aktgjykimi i shkallës së parë mbështetet në dëshmitë e 32 dëshmitarëve dhe në provat materiale të administruara gjatë procesit. Në mesin e tyre janë materialet e listuara në aktakuzën e Prokurorisë, raportet e përgjimeve, dokumentet e institucioneve publike lidhur me transferimin e pronave, si dhe deklaratat dhe mbrojtja e të pandehurve.

Gjatë seancës, mbrojtja pretendoi gjithashtu se dëshmitari i parë në këtë proces kishte qenë i porositur nga Agjencia e Sigurisë dhe Inteligjencës së Serbisë – BIA.

Rasti “Toka” lidhet me dyshimet për tjetërsimin e kundërligjshëm të pronave shoqërore në Veternik dhe Llapnasellë. Sipas Prokurorisë Speciale, të akuzuarit kishin bashkëpunuar, secili me rol të caktuar, për t’ia marrë Kosovës pronat përmes falsifikimit të vendimeve dhe dokumenteve zyrtare, mashtrimit, pastrimit të parave dhe veprimeve korruptive.

Dëmi i pretenduar nga Prokuroria arrinte në rreth 30 milionë euro, ndërsa Azem Syla akuzohej si organizues dhe drejtues i grupit.

Aktakuza përfshinte veprat penale të krimit të organizuar, pastrimit të parave, mashtrimit në bashkëkryerje, keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar, marrjes së ryshfetit, nxjerrjes së kundërligjshme të vendimeve gjyqësore, legalizimit të përmbajtjes së pavërtetë dhe shmangies nga tatimi.

Më 26 dhjetor 2024, Gjykata Themelore në Prishtinë e liroi Azem Sylën nga akuzat për krim të organizuar, mashtrim dhe shtytje në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Nga akuzat u liruan edhe Gazmend Gashi, Avni Maxhuni, Elheme Uka, Lumnije Sopjani, Nurtene Brajshori, Sami Maqedonci, Ndue Palushi dhe Ramadan Mavraj.

Ndërkaq, Shaban Syla dhe Shpresim Uka u dënuan me nga shtatë vjet burgim dhe nga 50 mijë euro gjobë. Ramadan Uka dhe Artan Vila morën nga pesë vjet burgim dhe nga 40 mijë euro gjobë.

Lubisha Vujoviq dhe Vidosav Novakoviq u dënuan me nga katër vjet burgim dhe nga 20 mijë euro gjobë. Avdyrrahman Brajshori u dënua me tre vjet burgim dhe 30 mijë euro gjobë, ndërsa Ilaz Syla me tre vjet burgim dhe 10 mijë euro gjobë.

Sabedin Haxhiu u dënua me një vit burgim për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Prokuroria Speciale e ka kundërshtuar aktgjykimin lirues, ndërsa mbrojtja e Azem Sylës kërkon që Apeli ta refuzojë ankesën dhe ta lërë në fuqi vendimin e Gjykatës Themelore.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT