Një sinjal i ri nga Uashingtoni për Ballkanin Perëndimor: SHBA nuk synon më të mbajë të njëjtën qasje ndaj rajonit dhe kërkon që vendet e Ballkanit të marrin më shumë përgjegjësi për zgjidhjen e problemeve të tyre.
Kjo qasje është paraqitur në një dëshmi të shkruar të Departamentit Amerikan të Shtetit para Nënkomitetit për Evropën në Kongresin amerikan.
Zëvendës-Ndihmës Sekretari i Shtetit, Daniel Lawton, ka thënë se periudha e ndërhyrjeve të jashtme për ndërtimin e shteteve ka përfunduar dhe se SHBA nuk do të japë më “mjete të pakufizuara për qëllime të papërcaktuara”.
Sipas dokumentit, vëmendja amerikane në rajon do të përqendrohet në tri prioritete: stabilitetin, forcimin e interesave ekonomike amerikane dhe luftimin e krimit të organizuar transnacional.
Uashingtoni njëkohësisht u ka bërë thirrje liderëve të rajonit që t’i tejkalojnë mosmarrëveshjet e vjetra dhe të punojnë për zgjidhje praktike.
Kosova mbetet në fokus
Sa i përket Kosovës, SHBA ka përsëritur qëndrimin në mbështetje të pavarësisë dhe integritetit territorial të vendit.
Megjithatë, në dokument janë evidentuar edhe shqetësime për zhvillimet e brendshme politike dhe institucionale. Lawton ka përmendur zgjedhjet e përsëritura, qeveritë në detyrë për periudha të gjata dhe vonesat në formimin e institucioneve si faktorë që kanë penguar agjendën e përbashkët.
Në vëmendje është edhe çështja e komunitetit serb. SHBA ka shprehur shqetësim për atë që e cilëson si “shqyrtim të tepruar ligjor dhe policor ndaj popullatës serbe në Kosovë”, duke kërkuar të drejta të barabarta për të gjithë qytetarët.
Në anën tjetër, Uashingtoni e konsideron të rëndësishme praninë e KFOR-it në Kosovë dhe konfirmon vazhdimin e mbështetjes amerikane për misionin.
Shqipëria, aleat i ngushtë ushtarak
Për Shqipërinë, mesazhi amerikan është kryesisht i orientuar te bashkëpunimi në siguri dhe mbrojtje.
Tirana përshkruhet si një aleat i afërt i NATO-s dhe SHBA thotë se po punon me autoritetet shqiptare kundër organizatave kriminale që bashkëpunojnë me kartele të Hemisferës Perëndimore.
Ndërkohë, përmes një kredie të finalizuar për Financimin e Ushtrisë së Jashtme (FMF), Shqipëria pritet të mbështetet në modernizimin e forcave të saj të armatosura dhe në blerjen e pajisjeve amerikane.
Serbia dhe afrimi me SHBA-në
Një pjesë e rëndësishme e qasjes së re amerikane lidhet edhe me Serbinë.
Sipas dokumentit, Uashingtoni synon ta forcojë bashkëpunimin me Beogradin për të kufizuar ndikimin e fuqive të tjera, veçanërisht Rusisë dhe Kinës.
Pas Dialogut Strategjik SHBA-Serbi të zhvilluar në korrik, Serbia shihet nga Uashingtoni si një faktor i rëndësishëm për ekuilibrin në rajon.
Bashkëpunimi pritet të zgjerohet në fusha si energjia, mbrojtja dhe tregtia.
Për dialogun Kosovë-Serbi: kthim te bisedimet direkte
Sa i përket dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, SHBA vlerëson se një nga momentet me përparimin më të madh ishte Marrëveshja e Uashingtonit e vitit 2020, e ndërmjetësuar nga Presidenti Donald Trump gjatë mandatit të tij të parë.
Dialogu i zhvilluar nën ndërmjetësimin e BE-së, ndërkaq, sipas vlerësimit amerikan, ka mbetur i bllokuar për shkak të “mungesës së vullnetit politik nga të dyja palët”.
Uashingtoni kërkon që Prishtina dhe Beogradi t’i rikthehen bisedimeve direkte, pa parakushte, dhe të shmangin veprimet që mund të shkaktojnë tensione të reja.
Bosnjë e Hercegovina dhe vendet e tjera
Në Bosnjë e Hercegovinë, SHBA vlerëson se është shmangur një krizë më e madhe pasi Republika Srpska tërhoqi legjislacionin anti-Dayton.
Ndërsa për Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi, në dokument theksohet rëndësia e projekteve të përbashkëta në infrastrukturë dhe energji.
Në mesin e tyre përmendet edhe infrastruktura që lidhet me gazin LNG, e cila sipas SHBA-së krijon mundësi të reja për investime nga kompanitë amerikane.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


