Wednesday, June 10, 2026
spot_img
HomeLajmeGjykata Supreme lë në fuqi gjobën ndaj LVV-së për pjesëmarrjen e një...

Gjykata Supreme lë në fuqi gjobën ndaj LVV-së për pjesëmarrjen e një të miture në fushatë

Gjykata Supreme ka lënë në fuqi vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), me të cilin Lëvizja Vetëvendosje është gjobitur për pjesëmarrjen e një të miture në fushatën zgjedhore.

“Kolegji i Gjykatës Supreme të Kosovës e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e subjektit politik Lëvizja Vetëvendosje (LVV), të paraqitur kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP)”, thuhet në njoftim.

LVV-ja kishte ushtruar ankesë në Gjykatën Supreme, duke kontestuar ligjshmërinë e vendimit të PZAP-së.

“Ankesat e paraqitura në PZAP kishin pretenduar se pjesëmarrja aktive e fëmijës në një aktivitet të organizuar zgjedhor përbën angazhimin e një personi nën moshën 15-vjeçare në fushatë zgjedhore, në kundërshtim me rregullat zgjedhore në fuqi”.

Në procedurën para PZAP-së, LVV-ja kishte pretenduar se e mitura nuk kishte qenë pjesë e programit të organizuar të tubimit, nuk ishte angazhuar nga subjekti politik dhe se iniciativa për paraqitjen e saj kishte ardhur nga vetë ajo, në prani të prindit të saj.

“Gjykata Supreme vlerësoi se këto pretendime nuk janë të bazuara. Kolegji i Gjykatës pranoi si të drejtë dhe të bazuar qëndrimin juridik të PZAP-së, duke theksuar se neni 5, paragrafi 3, i Rregullores Zgjedhore nr. 07/2024 për Fushatën Zgjedhore, Monitorimin e Fshehtë të Zgjedhjeve dhe Deklarimin Financiar përcakton se: ‘Asnjë subjekt politik i certifikuar nuk mund të angazhojë persona nën moshën pesëmbëdhjetë (15) vjeç në fushatën zgjedhore’”.

PZAP-ja e kishte dënuar LVV-në me 5 mijë e 100 euro për shkak të pjesëmarrjes së një fëmije në një tubim zgjedhor në Vushtrri, ndërsa vendimi tashmë është konfirmuar edhe nga Gjykata Supreme.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT