Aktivisti politik Shpend Gjocaj ka kritikuar qasjen e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, karshi ftesave që u dërgoi liderëve politikë një ditë më parë.
Duke folur në emisionin “Edicioni Special” në Klan Kosova, Gjocaj po ashtu tha se pretendimet se deputetët janë të detyruar të qëndrojnë në sallë janë qesharake, transmeton Klankosova.tv.
“Ne kemi dëgjuar shumë mendime thuajse qesharake në aspektin juridik e politik në Kosovë. Kemi dëgjuar avokatë që thoshin se me Kushtetutë, deputetët janë të detyruar të qëndrojnë në sallë. Cili është kuptimi i një pluralizmi politik në qoftë se deputetët detyrohen? Cila është pavarësia e deputetit, imuniteti i tij, mendimi e ideja e tij, derisa ata duhet të dirigjohen nga një person, nga një individ autoritar, në këtë rast kryeministri i Kosovës?”, deklaroi ai.
Gjocaj shtoi se është e papranueshme të kërkohet që deputetët të qëndrojnë në sallë, ndërsa kritikoi edhe thirrjet për takime mes liderëve politikë.
“Pra është qesharake t’u kërkohet të qëndrojnë, është qesharake të kërkohet takim i liderëve politikë, derisa ti kërkon të gjitha t’i kesh për vete. Kjo është një lloj hipokrizie dhe nuk krijon zgjidhje”, u shpreh Gjocaj në Klan Kosova.


