Reperi i njohur Don Xhoni ka bërë të ditur se do t’i bashkohet marshit protestues “Marsh për Liri”, i cili do të mbahet më 12 shtator në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, duke filluar nga ora 14:00.
Përmes disa postimeve në rrjetin social Instagram, Don Xhoni ka shprehur publikisht mbështetjen e tij për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Në mesazhin e tij, reperi ka thënë se procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së, sipas tij, nuk lidhet vetëm me individë, por edhe me historinë dhe sakrificën e popullit të Kosovës.
“Nuk po gjykohen veç ata. Po gjykohet një pjesë e historisë tonë. Po gjykohet sakrifica jonë. Po gjykohet liria e vendit tonë. E ajo liri, për mua, nuk ka çmim”, ka shkruar reperi, krahas emblemës zyrtare të UÇK-së.
Me këtë mesazh, Don Xhoni ka bërë thirrje për pjesëmarrje sa më të madhe në marshin që do të mbahet të shtunën në kryeqytet.
“Marshi për Liri” është paralajmëruar për 12 shtator, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, me fillim nga ora 14:00.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


