Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, e ka cilësuar dështimin e radhës për konstituimin e Kuvendit të Kosovës si një skenar të parapërgatitur për zvarritjen e proceseve politike në vend, duke akuzuar Vetëvendosjen dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin, për koordinim me Listën Serbe.
Gjini ka thënë se Aleanca e kishte paralajmëruar prej kohësh se Kuvendi nuk do të arrinte të konstituohej, ndërsa pas zhvillimeve të sotme ka deklaruar se, sipas tij, skenari tashmë është dëshmuar.
“A ju kemi thënë që nuk kanë për ta konstituuar Kuvendin sot?”, deklaroi Gjini para gazetarëve.
Ai ka pretenduar se Lista Serbe, pavarësisht nëse ka koordinim të drejtpërdrejtë apo jo, po i mundëson Kurtit që ta çojë përpara agjendën e tij politike.
“Kush e di për të satën herë, me koordinim apo pa koordinim, Lista Serbe po ndihmon që Albin Kurti ta zhvillojë agjendën e vet qysh i konvenon. Është një maskaradë për ta zvarritur procesin ashtu siç u përshtatet atyre”, tha ai.
Sipas Gjinit, vendimi i Aleancës për të mos u bërë pjesë e këtij procesi tashmë është dëshmuar i drejtë. Ai u ka bërë thirrje edhe dy partive të tjera opozitare që të mos marrin pjesë në atë që e cilësoi si “maskaradë”.
Gjini ka thënë se qëllimi për zvarritjen e procesit, sipas tij, ishte i qartë që nga korriku, kur partia fituese e zgjedhjeve refuzoi ofertën e Aleancës.
“Prej korrikut ju kam treguar që kjo ka për të ndodhur. Partia që ka dalë e para nga zgjedhjet ka refuzuar të merret me ofertën tonë. Vetë fakti që kanë refuzuar, ka treguar që ky ka qenë qëllimi”, u shpreh Gjini.
Duke folur për skenarët e mundshëm pas dështimit të konstituimit të Kuvendit, Gjini ka përmendur edhe kalkulimet me afatet ligjore, të cilat, sipas tij, mund ta çojnë vendin drejt zgjedhjeve të reja në fund të vitit.
“Duhet të mbërrihet së paku data 30 shtator, në mënyrë që kur të kalkulohet edhe 60-ditëshi, edhe 45 ditë deri në shkuarjen në zgjedhje, partia që i ka fituar zgjedhjet e kaluara ta mbërrijë datën 27 dhjetor”, tha ai.
Gjini ka argumentuar se zgjedhjet e reja janë të nevojshme, pasi, sipas tij, qeverisja aktuale ka humbur besimin e qytetarëve.
“Pse datën 27 dhjetor? Sepse këta njerëz që e kanë uzurpuar pushtetin në Kosovë, e kanë humbur besimin e qytetarëve që jetojnë këtu. Jeta është bërë më e rëndë”, deklaroi ai.
Në fund, kryetari i Aleancës e ka akuzuar Kurtin se synon jo vetëm të qeverisë, por të përqendrojë të gjithë pushtetin në duart e tij.
“Mos ia bëni këtë dëm Kosovës, që dy vite po zvarritemi në procese për shkak se një njeri po dëshiron ta sundojë Kosovën me gjithçka. Ky nuk dëshiron të qeverisë, ky dëshiron të sundojë”, tha Gjini, duke shtuar se para dy viteve këtë mundësi ia ka dhënë Vjosa Osmani, kurse sot po ia jep Lista Serbe, fiks të njëjtën gjë.
Gjini e ka cilësuar situatën si shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe u ka bërë thirrje partive politike që të mos bëhen pjesë e këtij procesi.
“Unë personalisht dhe njerëzit racionalë nuk besojmë në 100 koincidenca që çojnë në një drejtim. Nëse ka, atëherë është zgjedhje. Ju bëjmë thirrje partive politike mos të bëhen pjesë e kësaj maskarade. Kosova është në shkelje brutale të Kushtetutës. Ky është mashtrimi më i madh që ka ndodhur në historinë e Kosovës”, përfundoi Gjini.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


