Pas dështimit të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, kryeministri në detyrë dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka ftuar në takim kryetarin e PDK-së, Bedri Hamzën, dhe atë të LDK-së, Lumir Abdixhikun, me qëllim të arritjes së një dakordimi për përzgjedhjen e nënkryetarëve të Kuvendit.
Kurti ka bërë thirrje për qasje konstruktive nga partitë politike, në mënyrë që të përmbyllet konstituimi i Kuvendit dhe të formohet sa më shpejt Qeveria e re.
Ai ka thënë se pas konstituimit të Kuvendit duhet të procedohet edhe me zgjedhjen e presidentit, në mënyrë që të shmangen zgjedhjet e reja.
“Që të përmbyllet me sukses të plotë, duhet të zgjidhen edhe nënkryetarët, e për këtë nevojitet dakordim. Unë tashmë jam në kontakt, përveçse me kryetarin e LDK-së, gjithashtu i kam shkruar edhe atij të PDK-së që të takohemi dhe në këtë mënyrë të kemi dakordim. Le të jemi pozitivë e konstruktivë. Meqenëse na nevojitet mbështetja e mazhorancës edhe për propozimet e tyre, le të jemi pozitivë e konstruktivë dhe në këtë mënyrë të kemi Kuvend të konstituuar, shpejt Qeveri të formuar dhe të kalojmë te zgjedhja e presidentit, që duhet të bëhet në mënyrë që t’i evitojmë zgjedhjet e reja”, ka deklaruar Kurti.
Duke folur për situatën e krijuar rreth propozimit të Listës Serbe për nënkryetar të Kuvendit, Kurti ka kritikuar deklaratën e përfaqësuesit të kësaj partie, duke e cilësuar atë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe me betimin e deputetit.
Sipas Kurtit, propozimi i dorëzuar me shkrim për Slavko Simiqin është në përputhje me Kushtetutën, ndërsa mënyra se si u deklarua në Kuvend ishte, sipas tij, “në shpërputhje flagrante”.
“Për mua ishte e çuditshme pse ai nuk e lexoi saktësisht siç e ka deponuar me shkrim propozimin për Slavko Simiqin. Pra, propozimin me shkrim që e ka bërë, kur ka kërkuar që nënkryetar i Kuvendit nga radhët e Listës Serbe të jetë Slavko Simiq, e ka shkruar në përputhje me Kushtetutën, por atë çfarë e deklaroi ai ishte në shpërputhje flagrante”, ka thënë Kurti.
Kurti ka përmendur edhe reagimet brenda grupit parlamentar lidhur me deklaratën e përfaqësuesit të Listës Serbe.
Ai ka thënë se brenda grupit ishte ngritur edhe mundësia që deklarata të ishte ndikuar nga “euforia” pas varrimit të Ratko Mlladiqit.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


