Ushtria gjermane (Bundeswehr) pritet të vazhdojë pjesëmarrjen në misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR, edhe për një vit.
Sikurse deri më tani, mund të dërgohen deri në 400 ushtarë për këtë qëllim, me mundësi rritjeje të përkohshme gjatë rotacioneve ose emergjencave, shkruan qeveria gjermane në mocionin, të cilin Bundestagu do ta diskutojë për herë të parë të enjten e ardhshme.
Sipas kërkesës, përveç garantimit të sigurisë publike dhe rendit, detyrat përfshijnë edhe mbështetjen për “zhvillimin e një Republike të Kosovës stabile, demokratike, multietnike dhe paqësore”. Po ashtu, duhet të mbështetet krijimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës si një “organizatë e sigurisë e kontrolluar në mënyrë demokratike, me karakter multietnik, si dhe aktorë të tjerë në kuadër të reformës së sektorit të sigurisë”, raporton Klankosova.tv.
“Shqetësimet kryesore të Qeverisë gjermane, krahas normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, mbeten stabilizimi politik, sundimi i ligjit, stabilizimi ekonomik dhe shoqëror, si dhe mbështetja për afrimin me BE-në dhe integrimin në strukturat euroatlantike”, thuhet në njoftimin e Parlamentit gjerman.
Theksohet se si Kosova, ashtu edhe Serbia, kanë bërë të qartë se dëshirojnë vazhdimin e pranisë së KFOR-it.
“Qeveria gjermane i vlerëson kostot shtesë të lidhura me këtë mision në rreth 35.7 milionë euro”, u tha në njoftimin e Bundestagut. /Klankosova.tv


