Tuesday, September 15, 2026
spot_img
HomeLajme“Gjenerali” shqiptar bie në prangat belge, goditet rrjeti i kokainës

“Gjenerali” shqiptar bie në prangat belge, goditet rrjeti i kokainës

Një operacion i madh i Policisë Federale belge kundër një grupi të dyshuar për trafikim kokaine ka çuar në ndalimin e tetë personave në Antwerp dhe Bruksel.

Në mesin e personave të arrestuar është edhe shqiptari Gerd Gjinarari, i njohur me nofkën “Gjenerali”.

52-vjeçari ishte në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane për një vrasje të kryer në Milano në vitin 1997.

Sipas raportimeve, Gjinarari dyshohet se ishte i përfshirë në vrasjen e Naim Zyberit, i cili u qëllua për vdekje në një spital në Milano. Autoritetet belge kanë nisur procedurat për dorëzimin e tij drejt Italisë.

Ndërkohë, operacioni në Belgjikë lidhet me një hetim rreth një rrjeti të dyshuar shqiptar të trafikut të kokainës.

Hetimi kishte nisur rreth një vit më parë, pas dyshimeve se në një apartament në Berchem të Antwerp-it magazinoheshin sasi të mëdha droge.

Policia zhvilloi kontrolle në disa zona të Antwerp-it dhe Brukselit, ku sekuestroi armë zjarri, municion, jelekë antiplumb, para cash, dokumente të falsifikuara dhe pajisje që dyshohet se përdoreshin për përpunimin e kokainës.

Gjatë hetimit janë sekuestruar më herët edhe dy ngarkesa me 46 dhe 53 kilogramë kokainë. Në Shqipëri, autoritetet kanë kapur edhe 37 kilogramë kokainë të fshehura në një kontejner frigoriferik.

Nga tetë personat e ndaluar, gjashtë janë paraqitur para gjyqtarit hetues. Katër prej tyre janë arrestuar, një është liruar me kushte, ndërsa një tjetër është liruar.

Hetimi po vazhdon në bashkëpunim me autoritetet e disa shteteve dhe Europol-in.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT