Monday, June 15, 2026
spot_img
HomeLajmeGjashtë jetë të shuara në tri ditë, rastet që tronditën Kosovën

Gjashtë jetë të shuara në tri ditë, rastet që tronditën Kosovën

Gjashtë humbje jetësh brenda tre ditësh kanë tronditur Kosovën, ndërsa familjet e viktimave mbetën pa më të dashurit e tyre.

Veç të dielën mbetën të vdekur pesë persona, ndërsa sot u shënua edhe një rast tjetër i rëndë, raporton Klankosova.tv.

Pasditen e djeshme, në fshatin Kobaj të Prizrenit, 27-vjeçari Albian Osmanaj u ther për vdekje nga kushëriri i tij, 16-vjeçar.

Tragjedia, sipas informacioneve të para nga dëshmitarët, dyshohet se nisi nga konflikti mes dy familjeve të afërta (djem të axhallarëve) lidhur me emërtimin e një rrugice ku ata banonin. I dyshuari 16-vjeçar kishte propozuar që rrugica të emërtohej me emrin e babait të tij, i cili kishte ndërruar jetë disa muaj më parë, ndërsa viktima kishte preferuar që ajo të mbante emrin e gjyshit.

Policia, për Klankosova.tv ka bërë të ditur se pos viktimës, i plagosur ka mbetur edhe babai i të ndjerit, i cili aktualisht po merr trajtim mjekësor. Ndërsa tre të dyshuar, përfshirë nënën e 16-vjeçarit, janë ndaluar nga organet kompetente.

Bazuar në njoftimin zyrtar të policisë, nëna e autorit dyshohet se shtyu të birin për ta vrarë djalin e axhës.

Një tjetër rast tragjik u regjistrua të dielën në autostradën “Ibrahim Rugova”. Një çift bashkëshortësh u vetaksidentuan, ku si pasojë gruaja pësoi lëndime fatale, ndërsa burri ndodhet në gjendje të rëndë dhe po trajtohet në QKUK.

Policia, për Klankosova.tv bëri të ditur se aksidenti i rëndë u shkaktua si pasojë e humbjes së kontrollit të shoferit mbi automjetin.

Por, rastet tragjike nuk mbaruan me kaq.

Një i tillë ndodhi mbrëmë në një aeroplan që po udhëtonte nga Zvicra drejt Kosovës. Një mërgimtar që po vinte në atdhe, i moshës rreth 63-vjeçare, sipas policisë pas shfaqjes së problemeve shëndetësore gjatë fluturimit, ndërroi jetë.

ANP. Adem Jashari / 14.06.2026 – 17:13. Lidhur me rastin, viktimës mashkull kosovar pasi i ishin shfaqur probleme shëndetësore i njëjti është dërguar në QKUK ku më pas ka ndërruar jetë. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar mjeku kompetent, me urdhër të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në njoftimin e PK-së.

Megjithatë, sipas QKUK-së, i ndjeri në Emergjencë kishte arritur pa shenja jete.

Klankosova.tv kishte arritur që ekskluzivisht të marrë informata se një person ka vdekur gjatë aterimit. Pas ngjarjes, sipas të njëjtave burime, pasagjerët kanë mbetur të mbyllur brenda aeroplanit për rreth një orë, pa mundësi daljeje, ndërsa situata është përshkruar si e tensionuar.

Dje, edhe një jetë u shua si pasojë e një aksidenti rrugor.

Gazmend Alidema është 50-vjeçari që humbi jetën të dielën mbrëma, pas një aksidenti të ndodhur më 2 maj të këtij viti. I ndjeri, humbi betejën pas më shumë se një muaji pas këtij aksidenti tragjik, ndërsa ngushëllime ka shprehur edhe ish-kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri.

Një rast tjetër i rëndë është shënuar të shtunën në Ulqin, ku 17-vjeçari me inicialet E.K., nga Malisheva, humbi jetën teksa ishte duke punuar. Sipas raportimeve, i ndjeri ishte djali i vetëm i familjes, transmeton Klankosova.tv.

Ngushëllime për ndarjen nga jeta të të riut kanë shprehur edhe miqtë e tij.

“Shpirti yt i bardhë pushoftë në paqe, ki me na mungu ton jetën”, thuhet në telegramin e ngushëllimit.

Ndërkaq, mëngjesi i së hënës, ishte tragjik për një 46-vjeçar nga Kosova, i cili humbi jetën pasi u godit nga një veturë në Rrugën e Kombit.

Aksidenti dyshohet se ka ndodhur teksa viktima pasi kishte zbritur nga autobusi, ka tentuar të kalojë në pjesën tjetër të rrugës, kur u godit nga automjeti, që gjithashtu dyshohet se drejtohej nga një shtetase kosovare.

Viktima e këtij aksidenti dyshohet të jetë K.Aliu.

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT