Thursday, September 17, 2026
spot_img
HomeLajmeGara për Muriqin vazhdon, Mallorca “cakton” çmimin për “Piratin”

Gara për Muriqin vazhdon, Mallorca “cakton” çmimin për “Piratin”

Të martën nuk shënoi gol, por Vedat Muriqi vazhdon të jetë shumë i përfolur në Spanjë.

Pasi u lidh me një kalim të mundshëm te Barcelona, Muriqi të martën u bë temë edhe në Turqi. Gjiganti turk, Fenerbahçe, ka shprehur interesim për sigurimin e shërbimeve të sulmuesit kosovar. Madje, mediume të ndryshme turke kanë raportuar se Fenerbahçe tashmë ka arritur marrëveshje në parim me Muriqin, ndërsa për kthimin e tij në klubin nga Stambolli ka mbetur vetëm marrëveshja me Mallorcan.

Marrëveshja, megjithatë, nuk pritet të jetë e lehtë.

Mediumi “Ultima Hora”, i afërt me Mallorcan, ka shkruar se për Muriqin çmimi minimal është 30 milionë euro.

Agjenti i Muriqit, Utku Cenikli, ishte i pranishëm në stadiumin “Son Moix” për ndeshjen e Mallorcas me Valencian. Ai zakonisht nuk i ndjek ndeshjet në stadium, por u shfaq në një kohë kur po rriten zërat për largimin e “Piratit” nga ishulli.

“Vizita e tij në Spanjë nuk duket të jetë rastësi pasi vjen në një kohë kur klienti i tij po lidhet me klube të mëdha, me Barcelonën që është një nga ekipet që ka shprehur interesim për kontratën e lojtarit dhe tarifën e mundshme të transferimit”, ka shkruar Ultima Hora.

Muriqi ka shënuar 21 gola këtë edicion në La Liga dhe po thyen rekordet e Mallorcas.

“Megjithatë, një largim i mundshëm nuk do të jetë i lehtë – çmimi minimal është vendosur në 30 milionë euro”, ka shkruar mediumi spanjoll.

Mallorca aktualisht dëshiron ta mbajë sulmuesin. Transferimi i Muriqit do të ishte i ndërlikuar, pasi Lazio mban përqindje të konsiderueshme të fitimit neto nga çdo shitje e ardhshme. Sipas “Ultima Hora”, kjo shifër është 45 për qind.

“Me fjalë të tjera, nëse Mallorca e shet Muriqin për 30 milionë euro, ajo do të mbulonte investimin prej 7,5 milionë euro dhe shtesat që kalojnë 1 milion euro. Dhe fitimi i mbetur do të ndahej mes Mallorcas me 55 për qind dhe Lazios me 45 për qind”.

Lazio është ish-klubi i Muriqit, prej të cilit u transferua te Mallorca.

Fenerbahçe e ka kërkuar Muriqin edhe në dimër, ndërsa sulmuesi e kishte lënë këtë çështje në duart e drejtuesve të klubit spanjoll. Mallorca atëkohë kishte refuzuar të hiqte dorë nga ai.

Derisa interesimi për Muriqin po rritet, largimi i tij nga Mallorca mund të realizohet vetëm për një dëmshpërblim prej të paktën 30 milionë eurosh. Ai ka kontratë edhe për tri vjet.

Në barazimin 1:1 me Valencian, të martën, Muriqi ishte aktiv por pa realizuar gol. Valencia ishte mjaft e fokusuar në ndalimin e tij.

“Kanë filluar të marrin shënime për të pasi është një nga golashënuesit më të mirë të ligës. Po analizojnë çdo lëvizje të tij. Ne duhet të përfitojmë nga kjo. Ata u morën shumë me Muriqin dhe ne dolëm me armë të tjera. Kemi shënuar tjetër gol nga ndërprerjet”, ka theksuar trajneri i Mallorcas, Martin Demichelis.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT