Në kuadër të Planit Vjetor të Aktiviteteve për vitin 2026, Komanda e Logjistikës, Forca e Sigurisë së Kosovës, në bashkëpunim me dy regjimentet e saj, ka realizuar garën ekipore “Forca 2026”.
Gara,siç thuhet në njoftimin në Facebook, është zhvilluar në katër disiplina të ndryshme dhe ka përfshirë shtatë ekipe nga Komanda e Logjistikës dhe njësitë vartëse të saj.
Njëherësh, sipas njoftimit, qëllimi i aktivitetit ka qenë testimi i përgatitjes fizike dhe qëndrueshmërisë luftarake të pjesëtarëve të njësive, si dhe forcimi i bashkëpunimit dhe punës ekipore.
“Gjatë zhvillimit të garës, pjesëmarrësit demonstruan nivel të lartë profesionalizmi, disipline, përkushtimi dhe gatishmërie fizike, duke dëshmuar rëndësinë e stërvitjes së vazhdueshme dhe të punës ekipore në përmbushjen e detyrave ushtarake. Aktiviteti u përmbyll me shpalljen e ekipeve më të suksesshme dhe ndarjen e mirënjohjeve për pjesëmarrësit, duke reflektuar frymën e garës së ndershme, profesionalizmit dhe bashkëpunimit”, thuhet në njoftimin në Facebook./Klankosova.tv


