Thursday, August 27, 2026
spot_img
HomeLajmeDy kongresistë amerikanë paralajmërojnë Vuçiqin: Luftojeni korrupsionin ose do të përballesh me...

Dy kongresistë amerikanë paralajmërojnë Vuçiqin: Luftojeni korrupsionin ose do të përballesh me sanksione

Dy ligjvënës amerikanë, republikani Joe Wilson dhe demokrati Bill Keating, kanë paralajmëruar presidentin serb Aleksandar Vuçiq se mund të përballet me sanksione nëse nuk ndërmerr hapa kundër korrupsionit dhe nuk i kufizon lidhjet e Serbisë me Rusinë, Kinën dhe Iranin.

Anëtarët e Komitetit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve kanë prezantuar të enjten projektligjin dypartiak të quajtur “SRBIJA Act”. Ai parashikon sanksione dhe ndalime vizash ndaj personave që minojnë demokracinë, paqen, stabilitetin dhe integritetin territorial në Ballkanin Perëndimor.

“Nën presidentin Vuçiq, Serbia është larguar qëllimisht nga sundimi i ligjit dhe është afruar më shumë me armiqtë e lirisë, si krimineli i luftës Putin, Partia Komuniste Kineze dhe regjimi terrorist në Teheran”, deklaroi Wilson për “The Hill”.

Ai tha se Qeveria e Vuçiqit kërcënon ta destabilizojë rajonin, pavarësisht protestave të gjera kundër korrupsionit në Serbi.

“Populli i Serbisë meriton më mirë”, shtoi kongresisti republikan.

Edhe Keating kërkoi që Serbia të bëjë përparim në luftën kundër korrupsionit dhe ta zvogëlojë ndikimin e Rusisë, Kinës dhe Iranit.

“Demokracia, sundimi i ligjit dhe lufta kundër korrupsionit duhet të mbeten shtyllat kryesore të marrëdhënieve dypalëshe SHBA–Serbi”, deklaroi ai.

Projektligji kritikon përdorimin e forcës ndaj protestuesve dhe kërkon hetim e llogaridhënie për shembjen e tendës në stacionin hekurudhor të Novi Sadit, ku në nëntor të vitit 2024 humbën jetën 16 persona.

Ligjvënësit i kërkojnë sekretarit amerikan të Shtetit që me autoritetet serbe të trajtojë marrëdhëniet e Beogradit me Rusinë, Kinën dhe Iranin, garantimin e zgjedhjeve të lira, luftën kundër korrupsionit, lirinë e medias dhe të drejtën e tubimit.

Nëse administrata amerikane nuk ia paraqet Kongresit vlerësimin e kërkuar, projektligji parasheh mundësinë e pezullimit të dialogut strategjik SHBA–Serbi ose reduktimin e financimit të lidhur me të.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT