Thursday, April 30, 2026
spot_img
HomeLajmeFitore për Ballkanin në Skenderaj, Dukagjini del me tri pikë nga Ferizaj

Fitore për Ballkanin në Skenderaj, Dukagjini del me tri pikë nga Ferizaj

Ballkani ka marrë një fitore të rëndësishme në javën e 31-të të Superligës së Kosovës në futboll, duke e mposhtur Drenicën me rezultat 2:1 në stadiumin “Bajram Aliu” në Skenderaj. Po ashtu, fitore ka shënuar edhe Dukagjini ndaj Ferizajt.

Skuadra nga Suhareka ka kaluar në epërsi në minutën e 36-të me një gol nga goditja e lirë e realizuar nga Toni Domgjoni. Mysafirët e kanë dyfishuar avantazhin në minutën e 54-t, kur Festim Alidema ka shënuar pas asistimit të Almir Kryeziut.

Drenica është rikthyer në lojë në minutën e 79-të me golin e Igball Jasharit. I njëjti lojtar ka fituar penallti në minutat shtesë pas ndërhyrjes së VAR-it, ndërsa nga pika e bardhë ka provuar Ronaldo Chacon, por portieri Adnan Goluboviq e ka pritur goditjen, duke i siguruar Ballkanit tri pikët.

Pas kësaj fitoreje, Ballkani shkon në 55 pikë dhe vazhdon garën për titull, pesë pikë prapa liderit Drita. Drenica mbetet e shtata me 38 pikë dhe vazhdon betejën për mbijetesë.

Në ndeshjen tjetër të ditës, Dukagjini ka fituar si mysafir ndaj Ferizajt me rezultat 2:1.

Klinasit kanë kaluar në epërsi në minutën e 41-të me golin e Hekuran Kryeziut, ndërsa Dienit Isufi ka realizuar për 2:0 në minutën e 51-të. Ferizaj e ka ngushtuar rezultatin në minutën e fundit me Betim Haxhimusën, por nuk ka arritur ta shmangë humbjen.

Ferizaj nga minuta e 78-të ka luajtur me një futbollist më pak, pasi Ruben Cornelious është ndëshkuar me karton të kuq.

Me këtë fitore, Dukagjini ngjitet në vendin e gjashtë me 41 pikë dhe largohet nga zona e rrezikut. Ferizaj mbetet në pozitën e parafundit me 33 pikë.

Këto dy skuadra do të përballen sërish në finalen e Kupës së Kosovës më 21 maj në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT