Një aheng familjar në Ferizaj është shoqëruar me të shtëna me armë, duke detyruar Policinë të ndërhyjë dhe të sekuestrojë armën e përdorur, dhjetëra fishekë dhe gëzhojat e shkrepura gjatë festës.
Sinjali mëson se i dyshuari është Mergim Selimi, rreth 31-vjeçar.
Sipas burimeve, rasti ka ndodhur mbrëmjen e 31 korrikut, rreth orës 23:00, në rrugën “Hasan Prishtina” në Ferizaj, pasi Policia u njoftua për të shtëna me armë gjatë një ahengu familjar.
Me të mbërritur në vendngjarje, Mergim Selimi ka pranuar para zyrtarëve policorë se kishte shtënë me armë dhe ua ka dorëzuar vullnetarisht një pistoletë me gaz të tipit EKOL SPECIAL 99, kalibër 9 mm P.A.K.
Në vendngjarje kanë dalë edhe hetuesit policorë dhe njësia e krimteknikës, të cilët kanë kryer ekzaminimin dhe kanë sekuestruar 19 gëzhoja, ndërsa nga i dyshuari janë konfiskuar edhe 71 fishekë të kalibrit 9 mm P.A.K.
Pas intervistimit në prani të avokatit mbrojtës, Prokurori i Shtetit, ka urdhëruar inicimin e rastit për veprat penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.
Megjithatë, me urdhër të Prokurorit, Mergim Selimi është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa hetimet për rastin vazhdojnë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


