Largimin e pagesës për edukimin e hershëm për fëmijët që vijnë nga familje me të ardhura të ulëta ekonomike e kishte premtuar Lëvizja Vetëvendosje (LVV).
Ky premtim ishte theksuar edhe nga Albin Kurti, kandidati i LVV-së për kryeministër në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit 2021, në të cilat ky subjekt politik arriti të fitonte shumicën e votave.
A u mbajt premtimi?
Hibrid.info nuk ka gjetur asnjë njoftim nga institucionet zyrtare ku tregohet se fëmijët nga familje me të ardhura të ulëta ekonomike, të cilët ndjekin edukimin parafillor, janë liruar nga pagesa.
Analiza:
Hibrid.info ka hulumtuar dhe verifikuar me anë të makinave të kërkimit, dhe ka gjetur se në video-materialin e publikuar më 2 shkurt, 2021, në faqen e kryeministrit Albin Kurti, në Facebook, nga minuta 32:30, shihet e dëgjohet teksa Kurti përmend premtimin që u trajtua në këtë artikull (shih këtu).
Shih fotografinë më poshtë:
I njëjti premtim është gjetur i publikuar edhe në ueb-faqen e LVV-së, në një artikull të publikuar ku tregoheshin prioritetet e këtij subjekti politik.
Pas zgjedhjeve të 14 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje, që kishte shumicën parlamentare, formoi qeverinë dhe e përfshiu në programin qeverisës heqjen e pagesës për edukimin e hershëm për fëmijët që vijnë nga familje me të ardhura të ulëta ekonomike (shih këtu).
Shih fotografinë më poshtë:
Hibrid.info ka hulumtuar në ueb-faqen e kryeministrisë, me fjalët kyçe që kanë të bëjnë me ndonjë lirim nga pagesa, por rezultatet nuk kanë shfaqur artikuj që do të njoftonin realizimin apo ndërmarrjen e hapave rreth realizimit të premtimin në fjalë, nga qeveria aktuale (shih këtu, këtu, këtu dhe këtu).
Gjithashtu pas kërkimit në ueb-faqen e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), nuk janë gjetur rezultate që konfirmojnë marrjen e një vendimi në funksion të realizimit të premtimit, për lirim pagese për edukimin e hershëm për fëmijët që vijnë nga familje me të ardhura të ulëta (shih këtu).
Për të vërtetuar nëse ky premtim është mbajtur ose jo, hibrid.info ka hulumtuar me anë të makinës së kërkimit, “Google”, me fjalët kyçe “largimi i pagesës për edukimin e hershëm për fëmijët që vijnë nga familje me të ardhura të ulëta”. Rezultatet nga ky kërkim nuk kanë nxjerrë të dhëna që konfirmojnë se fëmijëve që vijnë nga familje me të ardhura të ulëta ekonomike u është larguar pagesa për edukimin e hershëm.
Në një artikull të publikuar në mediumin “reporteri.net’”, më datë 23 shkurt të vitit 2024, ky zotim është renditur mes dhjetë premtimeve të cilat nuk janë realizuar nga qeveria e drejtuar nga Albin Kurti.
Ndërsa një nismë të ngjashme, hibrid.info e ka hasur pas kërkimeve, ku nga Komuna e Prishtinës, ishte hapur aplikim për subvencionimin me 70 euro për regjistrim të fëmijëve në çerdhe private (këtu).
Rastet që hibrid.info ka gjetur, ku familjet e cenueshme janë përfshirë në skema mbështetëse nga kjo qeveri, përfshijnë skemën e re të asistencës sociale, e cila ka nisur më 18 maj 2024, dhe programin për mbrojtjen e konsumatorëve të cenueshëm, nëpërmjet të cilit ishin subvencionuar faturat e energjisë elektrike.
Përfundimi:
Premtimi për largimin e pagesës për edukimin e hershëm për fëmijët që vijnë nga familje me të ardhura të ulëta ekonomike nuk është realizuar.
Pas hulumtimit, hibrid.info nuk ka gjetur asnjë njoftim zyrtar nga institucionet apo mediat që konfirmon se premtimi është realizuar apo ka nisur të realizohet.
Bazuar në metodologjinë e punës mbi përmbushjen apo mbajtjen e premtimeve, mos realizimin e këtij zotimi, hibrid.info e vlerëson si “premtim jo të mbajtur”.
Arsyetimi:
Përmbushja apo mbajtja e premtimeve, kryesisht ndërlidhet me ato parazgjedhore, të cilat monitorohen në nivelin qendror dhe atë lokal gjatë mandatit katër-vjeçar. Ky hulumtim bëhet kryesisht në kohën e fushatës parazgjedhore, ku figurat kryesore politike monitorohen, në mënyrë që të ketë kontroll të fakteve për atë që e thonë. Hibrid.info bazuar në premtimet e bëra më herët, përmes programit zgjedhor, i kontrollon deklaratat e këtyre politikaneve, për të parë nëse pas mandatit kanë arritur t’i mbajnë ato premtime. Hibrid.info planifikon që të publikojë raporte të tilla edhe në baza vjetore.
Vlerësimi në këtë kategori bëhet – mbajtje e premtimit (nëse ai mbahet), mbajtje e pjesshme e premtimit dhe premtim jo i mbajtur (nëse ai nuk mbahet). /Hibrid
*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.
*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.
<!–
–>




