Aktorja turke Beren Saat, e njohur për publikun shqiptar për rolin e saj në serialin televiziv “Fatmagyli”, është ndaluar nga autoritetet turke në kuadër të një operacioni të gjerë kundër drogës dhe prostitucionit.
Sipas informacioneve të publikuara nga Zyra e Kryeprokurorit Publik të Stambollit, 22 persona janë arrestuar gjatë bastisjeve të koordinuara në disa lokacione, ndërsa pesë të dyshuar të tjerë vazhdojnë të kërkohen nga policia.
Në mesin e të ndaluarve ndodhet edhe Beren Saat, së bashku me disa figura të tjera të njohura të botës së argëtimit në Turqi. Autoritetet kanë bërë të ditur se hetimet lidhen me dyshime për veprimtari të lidhura me narkotikët dhe prostitucionin.
Gjatë kontrolleve të zhvilluara në banesat dhe adresat e të dyshuarve, ekipet e antidrogës kanë sekuestruar substanca narkotike dhe materiale që dyshohet se janë përdorur për trafikimin dhe shpërndarjen e tyre.
Autoritetet turke kanë njoftuar se procedurat ndaj të ndaluarve janë ende në zhvillim dhe se hetimet do të vazhdojnë për të zbardhur plotësisht rastin. Deri më tani nuk është bërë publik ndonjë vendim gjyqësor për aktoren, ndërsa ajo ndodhet në fazën e procedurave hetimore.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


