Prokuroria Speciale, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, në kuadër të veprimeve hetimore që janë duke u zhvilluar lidhur me rastin në Zubin Potok, ka njoftuar se gjatë veprimeve në terren është identifikuar një lokacion i dyshuar në fshatin Jabukë, ku dyshohet se mund të ketë mbetje mortore.
Sipas njoftimit, në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi, Prokuroria Speciale do t’i paraqesë Gjykatës Themelore në Prishtinë kërkesë për lejimin e zhvarrimit dhe ekzaminimeve të nevojshme, transmeton Klankosova.tv.
Lidhur me këtë, gazetari korrespodent i Klan Kosovës, Urall Boshnjaku, tha se lajmi u mirëprit nga familjarët, që për më shumë se dy dekada presin t’i gjejnë trupat e më të dashurve të tyre.
“Është një lajm që mirëpritet nga familjarët, meqë deri tash nuk ka pasur as edhe një informatë të vetme në lidhje me vendndodhjen e saktë të trupave të familjarëve të tyre që i presin tash e 29 vjet, janë në pritje të përhershme derisa të zbulohet se ku ndodhen edhe varret e tyre”, u shpreh Boshnjaku në emisionin “Ora Shtatë”.


