Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka deklaruar se presidenti amerikan Donald Trump ka shprehur vullnet pozitiv për rikthimin e Ankarasë në programin e avionëve luftarakë F-35.
Në një prononcim për gazetarët gjatë kthimit nga Nju Jorku, ku mori pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Erdogan tha se Turqia tani pret “hapa konkretë” nga Uashingtoni.
“Presidenti Trump shprehu një vullnet pozitiv lidhur me rikthimin e Turqisë në programin F-35”, deklaroi Erdogan, sipas mediave turke.
Ai shtoi se Ankaraja pret veprime nga pala amerikane që do të mundësonin rifillimin e bashkëpunimit në kuadër të programit të avionëve luftarakë.
Turqia u përjashtua nga programi F-35 në vitin 2019, pasi bleu sistemin rus të mbrojtjes ajrore S-400. Shtetet e Bashkuara e konsideruan këtë blerje të papajtueshme me pjesëmarrjen e Ankarasë në program.
Çështja e F-35 mbetet një nga temat e rëndësishme në marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Turqisë, ndërsa Erdogan synon forcimin e kapaciteteve ajrore të vendit me avionë luftarakë të gjeneratës së pestë.
Deklaratat e presidentit turk vijnë pas takimit me Trumpin në Nju Jork, ku, sipas palës turke, u diskutuan edhe çështje të mbrojtjes dhe sigurisë rajonale.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


