Klubi serb i futbollit Crvena zvezda ka publikuar një mesazh me përmbajtje nacionaliste në trevjetorin e sulmit të armatosur në Banjskë, ku më 24 shtator 2023 u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
Në kanalet zyrtare të klubit është publikuar mesazhi “Lavdi e përjetshme heronjve të Banjskës”, duke iu referuar tre serbëve të vrarë gjatë përleshjeve me Policinë e Kosovës.
Klubi ka shpërndarë gjithashtu një fotografi nga koreografia e tifozëve të tij “Delije”, ku shihet mbishkrimi “Ende nënat lindin Obiliqë”, në referencë të Milosh Obiliqit, figurë e traditës epike serbe.
Sulmi në Banjskë ndodhi më 24 shtator 2023, kur një grup i armatosur serb u përlesh me Policinë e Kosovës. Në përleshje u vra rreshteri Afrim Bunjaku, ndërsa u vranë edhe tre pjesëtarë të grupit serb: Stefan Nedeljkoviq, Igor Milenkoviq dhe Bojan Mijailoviq.
Sipas BBC-së në gjuhën serbe, Nedeljkoviq ishte tifoz i Crvena zvezdës dhe pjesëtar i grupit “Delije”.
Publikimi i klubit vjen në përvjetorin e tretë të ngjarjes dhe rikthen në vëmendje përdorimin e tribunave sportive për mesazhe politike e nacionaliste.


