Sulmet izraelite ndaj Sirisë dhe Libanit kanë arritur një pikë që sipas presidentit turk Rexhep Taip Erdogan përbëjnë kërcënim edhe për Turqinë.
Në deklaratat e tij, Erdogan theksoi se “agresioni izraelit” po rrezikon stabilitetin e rajonit dhe më gjerë, duke kërkuar ndaljen e menjëhershme të tij.
“Sulmet e Kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu dhe rrjetit të tij vrasës kundër Libanit dhe Sirisë e kanë çuar situatën në një pikë ku ajo përbën kërcënim edhe për Turqinë.”
Erdogan tha gjithashtu se Izraeli po udhëheq një përpjekje për destabilizimin e vendeve afrikane dhe rajonit të Mesdheut, duke përmendur edhe situatën në Qipro, e cila mbetet e ndarë.
“Këto entitete të vogla, ambiciet e të cilave i tejkalojnë shumë përmasat e tyre, i janë bashkuar aventurave të Izraelit, kanë marrë përsipër rolin e nënkontraktorëve të sionizmit dhe po ndjekin disa ëndrra të parealizueshme në Mesdheun Lindor.”
Ai paralajmëroi se çdo shkelje e të drejtave të Turqisë dhe turko-qipriotëve në Mesdheun Lindor do të marrë përgjigje të fortë nga Ankaraja.
Presidenti turk u bëri thirrje fuqive botërore të reagojnë ndaj Izraelit, duke shtuar se heshtja e komunitetit ndërkombëtar po e fuqizon atë.
“Rikthimi i Izraelit brenda kufijve të shtetit të së drejtës është bërë një detyrë e përbashkët jo vetëm për disa vende, por për mbarë njerëzimin,” u shpreh Erdogan.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


