Sunday, October 4, 2026
spot_img
HomeLajmeEkskluzive | Rrahje mes të rinjve në Zubin Potok – 18-vjeçari përfundon...

Ekskluzive | Rrahje mes të rinjve në Zubin Potok – 18-vjeçari përfundon me frakturë të dyfishtë në nofull, katër të arrestuar

Një rrahje mes disa të rinjve ka përfunduar me lëndime të rënda trupore në Zubin Potok, ku një 18-vjeçar ka pësuar frakturë të dyfishtë në nofull.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se incidenti ka ndodhur më 2 tetor, rreth mesnatës, në rrugën “Kolasinskih Knezeva”, në afërsi të lokalit “Crypto”.

Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, gjatë përleshjes me grushte dhe shqelma është lënduar rëndë Andrija Radosavljević, i cili fillimisht është dërguar për trajtim në QKMF në Zubin Potok e më pas është transferuar në Spitalin Rajonal në Mitrovicë të Veriut.

Mësohet se viktima ka pësuar frakturë të dyfishtë në nofull dhe është planifikuar të transferohet për trajtim të mëtejshëm në Serbi.

Në lidhje me rastin janë arrestuar katër persona të dyshuar, një i moshës madhore dhe tre të mitur.

I dyshuari madhor është intervistuar në prani të avokatit dhe me vendim të Prokurorit të Shtetit është ndaluar për 48 orë, ndërsa ndaj tij është iniciuar procedurë për veprën penale “Lëndim i rëndë trupor”.

Ndaj tre të miturve është iniciuar procedurë penale për “Pjesëmarrje në rrahje”, ndërsa ata janë liruar në procedurë të rregullt.

Për shkak të moshës, Sinjali nuk publikon identitetin e të miturve.

Hetimet për sqarimin e plotë të rrethanave të përleshjes po vazhdojnë.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT