Sunday, August 2, 2026
spot_img
HomeLajmeEkskluzive| Pas arratisjes, Policia arreston të dyshuarin për plagosjen në Skenderaj –...

Ekskluzive| Pas arratisjes, Policia arreston të dyshuarin për plagosjen në Skenderaj – arma u gjet gjatë bastisjes

Policia e Kosovës ka arrestuar personin e dyshuar për plagosjen me armë zjarri që tronditi Skenderajn në mbrëmjen e 31 korrikut, duke i dhënë fund kërkimeve intensive që nisën menjëherë pas sulmit.

Sinjali mëson se në pranga ka përfunduar Arbnor Kuliqi rreth 21-vjeçar, i dyshuar për plagosjen e L.Z. në rrugën “Fatmir Dibra” në Skenderaj.

Siç kishte raportuar më herët Sinjali, viktima ishte qëlluar me armë zjarri në shputën e këmbës së majtë dhe ishte dërguar fillimisht në QKMF-në e Skenderajt, e më pas në Spitalin Rajonal të Mitrovicës, ku mori trajtim mjekësor.

Pas ngjarjes, i dyshuari ishte larguar nga vendi i ngjarjes dhe ishte shpallur në kërkim.

Në kuadër të hetimeve, më 1 gusht, njësitë e Policisë realizuan bastisje në shtëpinë e tij në fshatin Abri e Poshtme, por Arbnor Kuliqi nuk u gjet.

Gjatë bastisjes, policia gjeti një armë zjarri në brez të vëllait të tij të mitur, për të cilën dyshohet se mund të jetë përdorur në plagosje. Arma u sekuestrua si provë materiale, ndërsa i mituri u intervistua në prani të prindit dhe avokatit mbrojtës, për t’u liruar më pas në procedurë të rregullt.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se pas veprimeve operative dhe kërkimeve intensive, Arbnor Kuliqi u lokalizua dhe u arrestua mbrëmjen e 1 gushtit, rreth orës 21:35.

Me vendim të Prokurorit të Shtetit, ai është ndaluar për 48 orë dhe është dërguar në Qendrën e Ndalimit në Mitrovicë, nën dyshimin për veprën penale “Tentim vrasjeje”.

Hetimet po vazhdojnë për zbardhjen e plotë të motiveve dhe rrethanave të plagosjes, ndërsa arma e sekuestruar pritet t’i nënshtrohet ekzaminimeve balistike për të verifikuar nëse është përdorur në sulm.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT