Një ndjekje dramatike policore ka alarmuar mbrëmjen e së shtunës banorët e Kamenicës, ku një i ri i maskuar me motoçikletë tentoi t’i ikte Policisë, por përfundoi i rrëzuar në shkurre dhe më pas dyshohet se sulmoi fizikisht një zyrtar policor, raporton Gazeta Sinjali.
Burime të Sinjalit bëjnë të ditur se gjithçka ndodhi dje, rreth orës 19:50 në fshatin Berivojc, kur patrulla policore vërejti një motoçikletë të bardhë me një person të maskuar në kokë.
Sipas burimeve, zyrtarët përdorën të gjitha autorizimet për ta ndalur, por i dyshuari nuk iu bind urdhrave dhe nisi arratisjen me shpejtësi në drejtim të fshatit Koretin.
Sinjali mëson se Policia u vu menjëherë në ndjekje me rrotacion, ndërsa i dyshuari vazhdoi ikjen deri në fshatin Topanicë.
Por ndjekja mori fund afër restorantit “Panorama”, ku ai humbi kontrollin mbi motoçikletën dhe përfundoi jashtë rruge, mes shkurreve.
Sipas burimeve, në momentin kur polici iu afrua për ta neutralizuar, i dyshuari reagoi me dhunë, duke e goditur me duar dhe këmbë zyrtarin policor.
Si pasojë, polici pësoi lëndime në dorën dhe këmbën e djathtë dhe mori trajtim mjekësor.
I dyshuari ka pësuar vetëm lëndime sipërfaqësore, ndërsa më pas ka kërkuar të dërgohet në Emergjencën e Gjilanit për trajtim më të specializuar.
Në konsultim me Prokuroren e Shtetit, rasti është proceduar si “Sulm ndaj personit zyrtar” dhe mbetet nën hetime.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


