Thursday, September 3, 2026
spot_img
HomeLajmeEkskluzive | “Mos e thirrni kërkon, s’ka ndodh sen” – polici dyshohet...

Ekskluzive | “Mos e thirrni kërkon, s’ka ndodh sen” – polici dyshohet se pengoi kolegët pas sulmit në dasmën në Prizren

Një intervenim policor për prishje të rendit dhe qetësisë publike në një aheng familjar në Prizren ka eskaluar në incident serioz, ku dy zyrtarë policorë pretendojnë se janë sulmuar nga dasmorët. Por rasti ka marrë një drejtim edhe më të ndjeshëm, pasi dyshohet se një zyrtar tjetër policor, i cili ndodhej në vendin e ngjarjes, ka penguar kolegët e tij gjatë intervenimit.

Burimet e Sinjalit brenda Inspektoratit Policor të Kosovës bëjnë të ditur se rasti ka ndodhur në orët e para të 30 gushtit, në lagjen Lakuriq në Prizren.

Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, dy zyrtarë policorë, B. S. dhe A. K., ishin udhëzuar të intervenonin pas raportimit për prishje të rendit dhe qetësisë publike në një aheng familjar.

Me të mbërritur në vendin e ngjarjes, policët kishin kontaktuar një person që ndodhej jashtë dhe më pas kishin vazhduar drejt oborrit ku po mbahej dasma.

Për shkak të ankesave të banorëve për zhurmë, policët kishin kërkuar nga organizatorët që muzika të ndalej dhe që t’u prezantohej një dokument lidhur me organizimin e ahengut.

Situata dyshohet se ka filluar të tensionohet në momentin kur aty është afruar polici Kenan Idrizi.

Sipas informacioneve të Sinjalit, Idrizi dyshohet se u kishte kërkuar kolegëve të largoheshin, duke u thënë se ai ishte aty dhe se nuk kishin nevojë të ndërmerrnin veprime.

Ndërkohë, në drejtim të policëve dyshohet se ishte afruar edhe Ardian Qerreti, i cili pretendohet se fillimisht i kishte fyer dhe ofenduar.

Përplasja verbale më pas dyshohet se ka kaluar në sulm fizik.

Siç mësom Sinjali, IPK tashmë është duke trajtuar një pretendim të njërit prej zyrtarëve policorë, i cili ka denoncuar se Qerreti e kishte goditur, çka e kishte detyruar ta nxirrte sprejin OC dhe t’i kërkonte të largohej. Në vazhdim, sipas informacioneve që ka Sinjali, edhe persona të tjerë nga dasma kishin nisur t’i ofendonin policët dhe të afroheshin në drejtim të tyre.

Në këtë situatë, Qerreti dyshohet se e kishte sulmuar përsëri njërin prej policëve, këtë herë në kyçin e dorës së djathtë.

Por pikërisht në kulmin e incidentit ngrihen dyshimet më serioze për veprimet e policit Idrizi.

Derisa dy policët po tentonin të tërhiqeshin taktikisht dhe të kërkonin asistencë, Idrizi dyshohet se qëndronte prapa tyre duke u thënë:

“Mos e thirrni kërkon, mos reagoni sen, s’ka ndodh sen.”

Sipas burimeve të Sinjalit, njëri nga policët kishte hipur në veturën zyrtare dhe kishte tentuar të kontaktonte Kontrollin përmes radiolidhjes për të kërkuar përforcime.

Në atë moment, Idrizi dyshohet se kishte hapur derën e veturës policore, e kishte kapur kolegun e tij për dore dhe kishte tentuar t’ia pamundësonte komunikimin, duke ia përsëritur fjalët që të mos thërriste askënd dhe të mos reagonte.

Zyrtari policor kishte arritur ta largonte dhe ta mbyllte derën e veturës, duke kërkuar më pas asistencë.

Pas thirrjes, në vendin e ngjarjes kanë mbërritur disa njësi policore, të cilat kanë vënë situatën nën kontroll dhe kanë arrestuar personat e dyshuar për sulmin.

Por veprimet që ngrenë dyshime për Idrizin, sipas informacioneve të Sinjalit, nuk kanë përfunduar aty.

Pasi personat e dyshuar ishin dërguar në stacion, Idrizi dyshohet se kishte shkuar edhe vetë atje dhe kishte tentuar të komunikonte me ta.

Rrethanat e plota të incidentit dhe veprimet e zyrtarit policor janë duke u trajtuar nga organet kompetente, ndërsa mbetet të sqarohet nëse sjellja e tij gjatë intervenimit përbën shkelje apo përgjegjësi tjetër.

Sinjali do t’ju mbajë të informuar për zhvillimet e reja lidhur me rastin.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT