Një aksident tragjik i ka marrë jetën një 78-vjeçari në Prizren, ndërsa Gazeta Sinjali mëson se shoferi që dyshohet se u përfshi në këtë rast është Fatmir Iljazi, 47 vjeç.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur paraditen e së mërkurës në rrugën “Faik Konica”, ku sipas burimeve të Sinjalit, Iljazi, duke drejtuar një veturë të tipit Fiat Punto, gjatë tentimit për t’u kyçur nga rruga “Ali Hadri”, dyshohet se ka kaluar në shiritin e djathtë të qarkullimit dhe ka goditur biçiklistin Shaqir Shala, 78 vjeç.
Si pasojë e përplasjes së fuqishme, 78-vjeçari ka pësuar lëndime të rënda trupore dhe fillimisht është dërguar për trajtim në Spitalin Rajonal të Prizrenit.
Për shkak të gjendjes së rënduar, ai është transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë.
Por, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, rreth orës 13:10 familja është njoftuar se Shaqir Shala nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve dhe ka ndërruar jetë në QKUK.
Me urdhër të Prokurorit kujdestar, Fatmir Iljazi është ndaluar për 48 orë, ndërsa trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion.
Rasti është referuar në Prokurorinë Themelore në Prizren dhe hetimet janë duke vazhduar për zbardhjen e plotë të rrethanave që çuan në këtë aksident me fatalitet.
Shënim: Personi i përmendur në këtë lajm gëzon prezumimin e pafajësisë dhe konsiderohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të provohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


