Gazeta Sinjali mëson ekskluzivisht se njëri nga personat e përfshirë në përleshjen e djeshme te “Qebatorja Bisa”, në hyrje të Autostradës “Ibrahim Rugova”, është Leotrim Fanaj, i cili dyshohet se ai e ka filluar përleshjen dhe më pas e ka nxjerrë armën e zjarrit.
Sinjali kishte raportuar më herët ekskluzivisht se në momentin e përleshjes në vendin e ngjarjes ndodhej edhe një hetues policor, i cili ishte në rroba civile dhe në detyrë zyrtare.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se bëhet fjalë për hetuesin policor V.A., i cili ka ndërhyrë menjëherë pasi Fanaj dyshohet se ka nxjerrë armën.
Në një moment kritik, hetuesi V.A. ka arritur t’ia largojë armën nga dora Fanajt, duke parandaluar përdorimin e saj dhe përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës.
Por përleshja nuk ka përfunduar me kaq. Sinjali mëson se gjatë ndërhyrjes, hetuesi policor është sulmuar nga një tjetër person i përfshirë në përleshje, i cili dyshohet se e ka therur me thikë, duke i shkaktuar lëndime trupore.
Rasti ka ndodhur më 19 shtator, rreth orës 12:50, në rrugën “Brigada 125”, në afërsi të hyrjes së Autostradës “Prizren–Jug”.
Policia e Kosovës tashmë e ka konfirmuar rastin për Sinjalin. Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, ka bërë të ditur se në vendngjarje ka qenë edhe një hetues policor, i cili ka ndërhyrë për ta vënë situatën nën kontroll.
Sipas policisë, njëri nga të dyshuarit dyshohet se kishte në posedim armë zjarri, ndërsa një tjetër një mjet të mprehtë – thikë. Gjatë ndërhyrjes, zyrtari policor ka pësuar lëndime, ndërsa policia ka sekuestruar armën dhe thikën.
Katër persona janë arrestuar në lidhje me rastin.
Pas konsultimit me prokurorin e shtetit, rasti është iniciuar për veprat penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armës”, “Sulm ndaj personit zyrtar” dhe “Lëndim i lehtë trupor”.
Rasti mbetet nën hetime.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


