Sinjali mëson ekskluzivisht identitetin e tre personave të arrestuar në operacionin e zhvilluar nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë (DHTN) në Ferizaj, në kuadër të planit operativ “Vera 2026”.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se në pranga kanë përfunduar Arbrin Halili, rreth 32-vjeçar, Florent Sahiti, rreth 27-vjeçar dhe Edi Sahiti, rreth 20-vjeçar, të cilët dyshohen për blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve, si dhe për mbajtje në pronësi ose kontroll të paautorizuar të armës.
Operacioni u zhvillua në rrugën “Kemajl Hetemi” në Ferizaj, pasi hetuesit kishin siguruar informacione operative se në afërsi të kafiterisë “Cap Bar” zhvillohej aktivitet i dyshuar për shpërndarje të narkotikëve.
Fillimisht u ndalua Arbrin Halili, tek i cili u gjet marihuanë. Më pas Policia bastisi dy shtëpi dhe lokalin e lidhur me Florent dhe Edi Sahitin.
Sipas burimeve, në momentin e hyrjes së Policisë, Edi Sahiti tentoi të zhdukte provat, duke hedhur nga dritarja e dhomës së tij dy qese me marihuanë, por veprimi u vërejt nga zyrtarët policorë, të cilët i sekuestruan menjëherë.
Gjatë aksionit u konfiskuan: 485.27 gram marihuanë, 181.7 gram hashash (“çokollatë”), 2.1 gram kokainë; 1,700 euro para të gatshme; një pistoletë me gaz me karikator dhe tri bombola gazi; dy peshore; dy grinderë për bluarjen e marihuanës; qese për paketim; tetë telefona celularë; si dhe pajisje të sistemit të kamerave.
Burimet bëjnë të ditur se gjatë aksionit është kanosur edhe një zyrtar policor nga një anëtar i familjes së të dyshuarve, për çka pritet të iniciohet procedurë penale e veçantë.
Me vendim të Prokurorit të Krimeve të Rënda, tre të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të aktivitetit të tyre janë në vazhdim.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


