Kanë dalë detaje të reja nga rasti i rëndë i tentim-vrasjes që tronditi Komoranin në orët e para të mëngjesit të 21 majit, ku një 19-vjeçar dyshohet se u ndoq dhe u sulmua me armë zjarri, raporton Gazeta Sinjali.
Burime të Sinjalit bëjnë të ditur se Muhamed Arifi kishte dalë nga shtëpia e tij në Kishnarekë, kur kishte vërejtur një veturë BMW që po e ndiqte nga pas.
Sipas deklarimit të tij, për ta testuar nëse po përcillej, ai kishte devijuar rrugën qëllimisht, por vetura kishte vazhduar ta ndjekë deri në rrugën “Imer Alushani” në Komoran.
Aty, sipas kallëzimit, BMW-ja ishte ndalur në mes të rrugës dhe nga ajo kishin dalë Agnis Hyseni dhe Adrian Gjoka.
Viktima ka deklaruar se Agnis Hyseni kishte nxjerrë armën dhe kishte shtënë dy herë në drejtim të Audit A5 që ai po drejtonte, ndërsa Adrian Gjoka kishte goditur veturën me shufër metalike mbi kapakun e motorit.
Për fat, 19-vjeçari nuk ka pësuar lëndime trupore, por vetura e tij është dëmtuar.
Pas rastit, Hetimet Rajonale kanë zhvilluar bastisje në shtëpitë e të dyshuarve.
Sinjali mëson se Adrian Gjoka është gjetur dhe arrestuar në fshatin Tërstenik, ku më pas është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës.
Ndërkohë, i dyshuari tjetër, Agnis Hyseni, nuk është arrestuar ende, por Policisë i është lënë ftesë për paraqitje.
Burimet konfirmojnë se arma e dyshuar është gjetur e fshehur në një objekt të braktisur në Komoran dhe është sekuestruar nga Policia.
Me rekomandim të Prokurores, rasti është cilësuar si “Vrasje në tentativë në bashkëkryerje” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
I dyshuari Adrian Gjoka është ndaluar për 48 orë, ndërsa rasti po procedohet me procedurë të shpejtë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.


