Të paktën dy persona kanë humbur jetën dhe 12 të tjerë janë plagosur nga sulmet ruse me dronë ndaj dy pikave të karburantit në Kiev, gjatë orëve të mëngjesit të së premtes, ndërsa kryeqyteti ukrainas po përballet me një valë të re sulmesh të intensifikuara.
Sipas kryetarit të bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko, sulmet kanë goditur dy pika karburanti në qytet gjatë orarit të pikut të trafikut.
Sulmet e së premtes pasojnë një goditje të ngjashme ndaj një pike karburanti të enjten, e cila ishte e para e këtij lloji në kryeqytetin ukrainas.
Në pikën e karburantit “Ukrnafta”, në lagjen Pochaina në veri të Kievit, dëshmitarët thanë se nga shpërthimi u plagosën tre persona – menaxheri i një lavazhi aty pranë, bashkëshortja e tij dhe drejtuesi i një automjeti që po kalonte në atë zonë.
Një automjet i dëmtuar rëndë kishte mbetur në anë të rrugës, ndërsa xhamat ishin thyer dhe sediljet ishin mbuluar me gjak.
Dëshmitarët thanë se kishin dëgjuar dy shpërthime, ndërsa autoritetet lokale deklaruan më vonë se Rusia kishte kryer një sulm të dyfishtë, i njohur si “double-tap”, ndaj objektit.
“Kjo është ndoshta një nga periudhat më të vështira të luftës,…”, ka thënë Anastasiia Demchenko, 30-vjeçe, e cila punon në një kompani dërgesash përballë pikës së karburantit.
“Të krijohet ndjesia se jeta është në tehun e thikës”, ka shtuar ajo.
Të tri pikat e karburantit të goditura deri më tani operohen nga “Ukrnafta”, kompani shtetërore për nxjerrjen e naftës dhe gazit natyror.
Sergiy Fedorenko, ushtruesi i detyrës së kreut të “Naftogaz”, kompanisë mëmë të “Ukrnafta”, e ka dënuar sulmin.
“Nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë objektiv ushtarak pas sulmeve të tilla. Ky është terror i drejtuar ndaj popullatës civile, ndaj njerëzve paqësorë”, ka deklaruar Fedorenko.
Ndërkohë, të mërkurën në Telegram kishte filluar të qarkullonte një listë me 18 pika karburanti në Kiev, të cilat pretendohej se do të goditeshin nga dronët rusë.
Sipas raportimeve, të trija pikat e karburantit që janë goditur deri më tani figuronin në këtë listë.
Kievi është përballur me sulme të vazhdueshme me dronë dhe raketa që nga fundi i gushtit, në një kohë kur Ukrainës po i pakësohen raketat përgjuese “Patriot”.
Një pauzë e shkurtër gjatë fundjavës, e lidhur me vizitën e të dërguarve amerikanë Jared Kushner dhe Steve Witkoff, përfundoi të hënën, ndërsa sulmet ndaj kryeqytetit rifilluan.
Sulmet ndaj pikave të karburantit ndodhën në kohën kur presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ndodhej jashtë vendit në kuadër të përpjekjeve për të siguruar mbështetje dhe ndihmë ndërkombëtare për Ukrainën përpara dimrit.
Të enjten, Zelensky u takua me kryeministrin kanadez, Mark Carney, i cili ofroi mbështetje për Ukrainën për rritjen e rezervave të saj të dronëve.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


