Friday, September 11, 2026
spot_img
HomeLajmeAmir Rrahmani pensionohet nga kombëtarja e Kosovës

Amir Rrahmani pensionohet nga kombëtarja e Kosovës

Kapiteni i Kombëtares së Kosovës, Amir Rrahmani, ka njoftuar se nuk do të jetë më pjesë e përfaqësueses përderisa Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK) e udhëheqin drejtuesit aktualë.

Rrahmani e ka bërë të ditur vendimin përmes një njoftimi në rrjetet sociale, duke deklaruar se pas dhjetë vitesh me Kombëtaren, shtatë prej të cilave i ka kaluar si kapiten, ka vendosur të largohet për shkak të pakënaqësive dhe problemeve që, sipas tij, nuk janë adresuar ndër vite.

“Pas dhjetë viteve në Kombëtare, nga të cilat shtatë vite si kapiten, ju njoftoj se nuk do të jem më pjesë e Kombëtares së Kosovës përderisa FFK-në e udhëheqin personat aktualë”, ka shkruar Rrahmani.

Kapiteni i Kosovës ka thënë se ndër vite ka pasur kundërshtime të vazhdueshme, si dhe mungesë të njerëzve kompetentë për të adresuar problemet dhe ankesat e futbollistëve.

Sipas Rrahmanit, pavarësisht ankesave të vazhdueshme, situata nuk ka ndryshuar për një periudhë të gjatë.

“Dhe çka mora në këmbim? Sulme të vazhdueshme dhe të koordinuara për më shumë se dy vite nga ata të cilët do të duhej të na mbronin”, ka thënë ai.

Rrahmani ka deklaruar se beson se drejtësia do ta vërtetojë një ditë atë që ka ndodhur.

“Kjo vendim vjen nga nevoja për të ruajtur integritetin tim si kapiten dhe futbollist profesionist, por mbi të gjitha vlerat e mia si njeri”, ka shkruar Rrahmani.

Në fund të mesazhit, ai iu është drejtuar tifozëve të Kosovës me fjalët:

“I juaji, Amir Rrahmani”.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT