Ministri shqiptar i Administratës Publike në Qeverinë e Malit të Zi, Marash Dukaj, ka theksuar rëndësinë e respektimit të të drejtave të studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, veçanërisht në lidhje me përdorimin e gjuhës amtare në arsim dhe procesin e vlerësimit akademik.
Dukaj u shpreh nw rrjetet sociale se studentët shqiptarë nuk po kërkojnë privilegje, por një të drejtë themelore të garantuar nga ligjet vendore dhe standardet ndërkombëtare.
“Studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut nuk po kërkojnë privilegje, por një të drejtë themelore: të mësojnë dhe të vlerësohen në gjuhën e tyre amtare.
Kjo e drejtë garantohet nga ligjet vendore dhe standardet ndërkombëtare, pasi gjuha përfaqëson një element thelbësor të identitetit dhe dinjitetit kulturor.
Shoqëritë demokratike maten nga mënyra se si respektojnë të drejtat e komuniteteve dhe nga zbatimi i barabartë i ligjit për të gjithë qytetarët”, tha ai, transmeton Klankosova.tv.


