Më 8 korrik të 2016-ës u ndal dielli për Merita Hysenin, nga Prizreni.
Kjo ishte dita kur djali i saj, Besim Krrabaj, mbylli sytë përjetësisht në Spitalin e Traumës në Tiranë. Vdekja, 19-vjeçarit i erdhi pas një muaj dhimbjesh e vuajtjesh në spitale, në kohën kur duhej t’i bënte përgatitjet e fundit për dasmën e tij.
Besimi për një muaj ishte tërësisht i paralizuar, me palcë të këputur, unaza të thyera të qafës e me dëmtime në mushkëri, por me vetëdije të plotë.
Gjatë qëndrimit në spital me nënën që nuk i ishte shqitur për asnjë moment, ai kishte treguar se çfarë ndodhi të hënën e 13 qershorit të atij viti, në oborrin e shkollës “Lekë Dukagjini”, në Prizren, ngjarjen që ia solli fundin.
Në një rrëfim për Kiksin, më shumë se 8 vjet pas asaj dite, Merita Hyseni, po kërkon drejtësi për të birin e saj të ndjerë e dënim të merituar për policët të cilët thotë se ia mbytën djalin.
Të hënën e 13 qershorit të vitit 2016, Besim Krrabaj kishte qenë së bashku me dy shokët e tij, Egzon Krasniqin dhe Besart Morinën, në oborrin e shkollës “Lekë Dukagjini”, në Prizren, kur aty ishin shfaqur disa zyrtarë policorë.
Policia kishte shkuar aty, pasi kishte pranuar një telefonatë se disa të rinj po konsumojnë substanca narkotike.
Ani pse të rinjve nuk u ishte gjetur asgjë, pos një thike, në vendin e ngjarjes ishte thirrur autoambulanca.
Në Emergjencë, Merita e kishte gjetur të birin e saj në gjendje të rëndë, që nxirrte gjak nga goja e krejtësisht të palëvizshëm.
19-vjeçari për të cilin thotë se ka qenë me vetëdije të plotë, i kishte thënë të ëmës se është rrahur nga zyrtarët policorë.
Besimi, sipas nënës së tij, kishte arritur ta identifikonte njërin nga policët që i akuzonte se e kanë dhunuar fizikisht.
Se ndaj djalit të saj kanë ushtruar dhunë fizike, Merita pretendon ta ketë dëgjuar duke thënë edhe njërin nga zyrtarët policorë, atë natë në spital.
Muajin që duhej t’i kryente përgatitjet e fundit të dasmës, Besimi e kaloi në kujdesin intensiv në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku ndërroi jetë më 8 korrik të 2016-ës.
Për vdekjen e të birit, Merita i akuzon policët të cilët thotë se e rrahën atë rëndë, pa asnjë arsye.
48-vjeçarja nuk dëshiron as ta kujton tmerrin që përjetoi sa qëndroi në spital me të birin. Ndonëse edhe vetë Besimi i kishte humbur shpresat se do të shërohej, ai sërish përmendte dasmën si ngushëllim për të ëmën.
Në momentin kur ia mbylli sytë djalit të saj, Merita thotë se u ndalë dielli për të.
Me të birin që tani do të ishte 28-vjeçar, nëna thotë se ka varrosur edhe veten.
Merita pohon se ajo dhe djali i saj i ndjerë do të gjejnë paqe vetëm kur policët, të cilët i akuzon për vrasjen e tij, të marrin dënimin e merituar.
*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.
*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.
<!–
–>


