Drejtori Ekzekutiv i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, Bekim Blakaj, ka zbuluar detaje të reja lidhur me dëshminë e vitit 2003 që çoi në identifikimin e varrezës masive në Kalludër të Vogël të Zubin Potokut.
Në emisionin Info Magazine në Klan Kosova, Blakaj tha se organizata për herë të parë kishte mësuar për këtë dëshmi në vitin 2013, kur gazeta “Zëri” publikoi një artikull të detajuar mbi deklaratën e Ranko Tepavac, të dhënë në vitin 2003 para UNMIK-ut.
Sipas Blakajt, në dëshminë e tij Tepavac kishte përshkruar vrasjen e 23 civilëve dhe varrosjen e tyre në një varrezë masive në Kalludër të Vogël, duke përmendur edhe emrat e personave që, sipas tij, kishin marrë pjesë në krim.
Ai kishte përmendur edhe emrin e kryerësit kryesor të krimit, si dhe kishte dëshmuar se pas ngjarjes policia kishte dalë në vendin e ngjarjes, por në vend të hetimeve u kishte kërkuar autorëve që t’i varrosnin viktimat”, tha Blakaj.
Blakaj theksoi se masakra në Kalludër të Vogël ka qenë një nga rastet më të përfolura të krimeve të luftës në Kosovë dhe se prej vitesh kishte pasur informacione dhe përpjekje për lokalizimin e varrezës masive.
Është pak e habitshme si është e mundur që pas një dëshmie që tani po del të jetë krejtësisht e saktë dhënë në vitin 2003 nuk janë ndërmarrë veprime hetimore duke pasur parasysh që dëshmitari nga Istogu kishte përmendur edhe emrat dhe rrethanat krejt të sakta mbi këtë krim masiv që ka ndodhur. Përndryshe një ndër vrasjet masive që kishin ndodhur në Kosovë më së shumti të përfolura e sidomos në gjurmimin e lokacionit të varrezës së mundshme masive është ky, pra është folur gjithandej gjithë kohën është folur se edhe ka pas hetime. Unë besoj që ka pas edhe testime pra tentime që të hapen aty këtu lokacionet për të parë nëse ekziston ajo varrezë. Megjithatë është dashur gjithë kjo kohë e gjatë të kalojë për t’u gjetur lokacionin i saktë dhe për të filluar esumimi i trupave”, ka thënë Blakaj.


