Për shkak se mbrojtësi i të akuzuarit për fajde Beqir Hoxha, avokati Fanol Krasniqi gjendet jashtë vendit, ka dështuar të mbahet seanca e kolegjit të Gjykatës së Apelit, në të cilën pritej të elaborohen ankesat ndaj vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin Hoxha u dënua me 4 vjet burgim dhe 5 mijë euro gjobë.
Kolegji i gjyqtarëve në këtë rast ka këtë përbërje: Valbona Musliu-Selimaj- kryetare e kolegjit, Arben Hoti- gjyqtar referues, si dhe Xhevdet Abazi- anëtar, raporton “Betimi për Drejtësi” transmeton Klankosova.tv.
Më të hapur seancën, gjyqtarja Musliu-Selimaj tha se sipas njoftimit të avokatit Krasniqi, del se i njëjti gjendet jashtë shtetit duke thënë se ka kërkuar që seanca të shtyhet për një datë tjetër.
Prezent për avokatin Krasniqi ishte në gjykim avokati nga zyra e tij, Muhamet Mehmeti, i cili tha është prezent me kërkesë të avokatit Krasniqi për të sqaruar edhe se Krasniqi gjendet jashtë vendit, duke kërkuar që seanca të caktohet në një datë tjetër.
Më pas, gjykatësja Musliu-Selimaj tha se me kërkesë të avokatit Krasniqi seanca e sotme shtyhet duke bërë të ditur se njoftimi për seancën e radhës konsiderohet se është kryer në po këtë seancë.
Sipas gjykatëses, në seancë e radhës pritet të sqarohet se kush ka paraqitur ankesë ndaj vendimit të Themelores dhe të bëhet elaborimi i ankesave nga palët prezente.
Kujtojmë se Hoxha më 4 qershor 2025 ishte shpall fajtor dhe ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë për veprën penale “Fajdeja” me 4 vjet burgim dhe 5 mijë euro gjobë, si dhe ishte obliguar që t’ia paguaj të dëmtuarit shumën prej 77 mijë e 500 euro.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prizren më 6 nëntor 2023, pranë Gjykatës Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë ndaj Beqir Hoxhës, i cili ngarkohej për veprën penale të fajdesë.


