Deputetja e zgjedhur e PDK-së, Blerta Deliu, ka kërkuar nga institucionet e drejtësisë që të trajtojnë rastet e profileve dhe platformave që, sipas saj, përhapin gjuhë të urrejtjes dhe nxisin linçime publike.
Deklarata e saj ka ardhur pas denoncimit në Prokurorinë Speciale për profilin “Lule Gjeli”, ndërsa Deliu ka thënë se në vitet e fundit është vërejtur një rritje shqetësuese e gjuhës së urrejtjes dhe sulmeve ndaj figurave publike në Kosovë, raporton Klankosova.tv.
Kam kërkuar nga institucionet e drejtësisë që të trajtojnë çdo profil që merret me linçim dhe nxitje të urrejtjes. Ajo që kemi parë në vitet e fundit si shtet dhe si institucione është një përhapje e skajshme e gjuhës së urrejtjes dhe linçimit publik”, ka deklaruar Deliu.
Ajo ka bërë të ditur se edhe personalisht është përfshirë në raste të tilla dhe ka kërkuar nga Prokuroria Speciale që ta trajtojë me përpikëri këtë çështje.
Si njëra ndër personat e përfshirë në këtë rast, kam kërkuar nga Prokuroria Speciale që ta trajtojë në përpikëri këtë rast. Dua të falënderoj gatishmërinë e institucioneve të drejtësisë për t’u marrë me këto raste, të cilat në shumë vende të botës kanë sjellë pasoja serioze”, është shprehur ajo.
Sipas saj, institucionet duhet të sigurojnë që platformat e rreme dhe përmbajtjet e pavërteta të mos përdoren për të sulmuar, linçuar apo dëmtuar figurat publike.


