Thursday, May 14, 2026
spot_img
HomeLajmeÇrregullimi që prek miliona gra ndryshon emërtim

Çrregullimi që prek miliona gra ndryshon emërtim

Një nga çrregullimet hormonale më të zakonshme te gratë ka marrë zyrtarisht një emër të ri.

Gjendja e njohur prej vitesh si PCOS (Sindroma e Vezoreve Policistike) tani do të quhet PMOS, “Sindroma Poliendokrine Metabolike Ovariane”, ka raportuar agjencia e lajmeve Associated Press.

Ekspertët thonë se ndryshimi i emrit synon ta përmirësojë diagnostikimin dhe trajtimin e kësaj gjendjeje, e cila prek rreth një në tetë gra në mbarë botën.

Sipas The Endocrine Society, emri i vjetër “Sindroma e Vezoreve Policistike” ishte shpesh keqkuptues. Ai e reduktonte një çrregullim kompleks hormonal vetëm tek vezoret dhe “cistet”, ani pse shumica e pacienteve nuk kanë ciste të vërteta në vezore.

Ndryshimi i emrit u publikua në revistën shkencore The Lancet pas 14 vjetësh bashkëpunim mes ekspertëve dhe pacienteve.

“Ideja pas këtij ndryshimi është se, së pari, nuk ka cista në vezore, kështu që emri ishte shumë konfuz. Shpresa ishte që me një emër më të plotë dhe më të saktë, të nxitej edhe kujdes më i mirë për pacientet”, ka thënë Melanie Cree, një nga autoret e studimit dhe eksperte në Universitetin e Kolorados, Anschutz.

PMOS karakterizohet nga çrregullime hormonale që mund të ndikojnë në peshë, metabolizëm, shëndetin mendor, sistemin riprodhues dhe lëkurën.

Gjendja lidhet edhe me sindromën metabolike, një grup problemesh shëndetësore që rrisin rrezikun për diabet të tipit 2, sëmundje të zemrës dhe sulm në tru.

Ekspertët ende nuk e dinë saktësisht çka e shkakton PMOS, por besohet se faktorët gjenetikë dhe obeziteti luajnë rol të rëndësishëm.

Simptomat mund të ndryshojnë shumë nga një person te tjetri, gjë që shpesh e vështirëson diagnostikimin.

Gjendja shoqërohet me cikle të çrregullta menstruale dhe prodhim të lartë të hormoneve androgjene, të cilat mund të shkaktojnë akne, rritje të qimeve në fytyrë ose trup dhe hollim të flokëve.

Mund të shfaqen edhe folikula në vezore, por ekspertët theksojnë se këto nuk janë ciste të vërteta dhe jo çdo paciente i ka ato.

Sipas autores Cree, tek adoleshentet diagnoza vendoset kur ekzistojnë dy shenja kryesore: menstruacione të çrregullta dhe nivele të larta të androgjeneve ose simptoma si akne të rënda dhe qime në gjoks.

Sipas ekspertëve të Cleveland Clinic, PMOS është shkaku më i zakonshëm i infertilitetit te gratë, pasi mungesa e ovulacionit të rregullt mund ta vështirësojë shtatzëninë.

Gjendja mund të rrisë gjithashtu rrezikun për komplikime gjatë shtatzënisë, si diabeti gestacional ose lindja e parakohshme. Megjithatë, shumica e grave me PMOS mund të kenë shtatzëni të suksesshme.

Sa i përket trajtimit, ekspertët thonë se ndryshimi i stilit të jetesës mbetet hapi më i rëndësishëm.

Kjo përfshin ushqim me më pak produkte të përpunuara, aktivitet fizik të rregullt dhe gjumë të mjaftueshëm.

“Nuk po përpiqemi ta gjykojmë askënd. Ka shkencë që e mbështet këtë”, ka shpjeguar Cree.

Ajo ka shtuar se te shumë gra me PMOS ka nivele të larta të insulinës, gjë që “e ngatërron” vezoren dhe e shtyn të prodhojë më shumë testosteron.

“Është testosteroni i lartë që shkakton shumicën e simptomave”, ka thënë ajo.

Trajtimet e tjera përfshijnë ilaçe që ndihmojnë trupin të përdorë më mirë insulinën, si metformin, medikamente që bllokojnë androgjenet dhe kontraceptivë hormonalë.

Ekspertët theksojnë se trajtimi duhet të përshtatet sipas nevojave të secilës paciente. Për shembull, disa gra mund të fokusohen tek fertiliteti dhe shtatzënia, ndërsa të tjera tek kontrolli i simptomave hormonale.

Mjekët dhe studiuesit shpresojnë që emri i ri PMOS të ndihmojë në rritjen e ndërgjegjësimit dhe në ofrimin e trajtimit më të mirë për pacientet.

“Jam shumë e emocionuar për ndryshimin e emrit. Ashtu si edhe shumica e kolegëve të mi”, ka thënë Cree.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT