Opinionisti Bekim Çollaku ka vlerësuar se rezultati i zgjedhjeve nuk ka ndryshuar ndjeshëm raportet e forcave politike në Kosovë, duke ngritur pikëpyetje nëse kësaj radhe do të ketë më shumë vullnet për arritjen e një konsensusi politik.
Në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova, Çollaku tha se arsyeja kryesore e mungesës së institucioneve funksionale gjatë 18 muajve të fundit ka qenë mungesa e një oferte serioze dhe të sinqertë për bashkëqeverisje nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
“Vullneti i qytetarëve nëpërmjet votës së tyre nuk është se u ka dhënë peshë apo forcë më të madhe subjekteve politike parlamentare në Kosovë, krahasuar me rezultatet që kanë pasur në dy palë zgjedhje të kaluara. Kjo nënkupton që, nëse dy herë brenda 18 muajve ka pasur zgjedhje dhe nuk ka pasur vullnet të mjaftueshëm politik për të bërë konsensus dhe për të ndërtuar institucione stabile, atëherë të gjithë e shtrojnë pyetjen: Çfarë ka ndryshuar ose çfarë duhet të ndryshojë kësaj radhe në mënyrë që të arrihet konsensusi politik?”
“Përsëri primatin për t’i themeluar institucionet do ta kishte Lëvizja Vetëvendosje, dhe kjo nuk ka ndryshuar që nga zgjedhjet e shkurtit të vitit të kaluar. Pra, jemi pak a shumë në situatën e njëjtë. Unë mendoj që arsyeja pse nuk ka pasur institucione në Kosovë në këto 18 muaj është pikërisht mungesa e një oferte të mirëfilltë dhe të sinqertë të zotit Kurti për të bashkëqeverisur me ndonjërën nga subjektet politike parlamentare. Kjo do të nënkuptonte pak a shumë një ndarje përafërsisht të barabartë, sepse është e pamundur që të ketë një ndarje të barabartë të përgjegjësisë politike”, deklaroi ai.
Çollaku paralajmëroi se ngurrimi për të ndarë pushtetin mund të çojë në një bllokadë të re institucionale.
“Në aspektin praktik, sigurisht që cilën do parti që ai e konsideron si partner të mundshëm për të bashkëqeverisur, ai duhet t’i ofrojë një përgjegjësi shumë të lartë në qeveri së pari, dhe pastaj edhe pozitën e presidentit në rast se ai dëshiron ta mbajë për vete pozitën e kryeministrit”.
“Dhe mendoj që edhe kësaj radhe, në rast se do të ketë ngurrim nga z.Kurti që pozitën e presidentit t’ia japë ndonjërit nga subjektet politike parlamentare, dhe përveç kësaj pozite edhe një pjesë të madhe të qeverisë së ekzekutivit, atëherë përsëri unë mendoj që do të kemi bllokadë institucionale, gjë e cila përsëri mund t’i shkojë përshtat vetëm z.Kurti, sepse duke e pasur rolin primar në ndërtimin e institucioneve, për më tepër duke pasur ushtruesin e detyrës së presidentit, ai në çdo aspekt e dikton lojën politike dhe ofertën politike”, deklaroi ai./Klankosova.tv


