Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Vlora Çitaku, i ka reaguar ashpër ambasadorit britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, pas deklaratave të tij lidhur me vendimin e Gjykatës Speciale në Hagë.
Çitaku ka pretenduar se ambasadori britanik nuk e ka lexuar aktakuzën dhe nuk e ka përcjellë procesin gjyqësor dhe aktgjykimin, duke kundërshtuar deklaratën se dënimet në Hagë kanë të bëjnë me “krime individuale ndaj komuniteteve të ndryshme”.
Postimi i plotë:
Ambasadori britanik në Prishtinë, mes tjerash, paska thënë se: “Dënimet në Hagë kanë të bëjnë me krime individuale ndaj komuniteteve të ndryshme.”
Qartazi, Ambasadori i nderuar as nuk e ka lexuar aktakuzën, as nuk e ka përcjellë procesin, e as nuk e ka dëgjuar aktvendimin e Gjykatës.
Sepse këtu nuk bëhet fjalë për dënime për vepra individuale.
UÇK është cilësuar si ndërmarrje e përbashkët kriminale.
Ky është thelbi. Kjo është pesha e këtij vendimi. Dhe këtë nuk mund ta mbuloni me një fjali diplomatike.
Mos na qitni hi syve.
Ju mundeni me e pranu këtë vendim. Mundeni me e relativizu. Mundeni me e reduktu në katër emra dhe me vazhdu tutje, sikur asgjë nuk ka ndodhur. Mundeni, përmes tij, me ble vullnet e paqe me Serbinë e me të tjerët.
Po ne jo.
Ne nuk kemi me heshtë derisa lufta jonë për liri të përshkruhet me gjuhën e kriminalitetit.
Nuk kemi me e pranu që historia jonë të rishkruhet për komoditetin politik të askujt.
Jo.
Jo në emrin tim
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


