Tuesday, September 29, 2026
spot_img
HomeLajmePDK-ambasadorit britanik: Mos e reduktoni dhe relativizoni me gjuhë diplomatike aktgjykimin e...

PDK-ambasadorit britanik: Mos e reduktoni dhe relativizoni me gjuhë diplomatike aktgjykimin e Hagës

Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar ndaj deklaratës së ambasadorit britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, lidhur me aktgjykimin e Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

PDK-ja e ka cilësuar si “reduktim të papranueshëm diplomatik” deklaratën e Hargreaves se aktgjykimi ka të bëjë me “krime individuale”, duke argumentuar se vendimi, sipas saj, ka pasoja më të gjera historike dhe politike për Kosovën.

“Deklarata e Ambasadorit britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves se aktgjykimi në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së dhe themeluesve të Republikës së Kosovës ka të bëjë me “krime individuale” është një reduktim i papranueshëm diplomatik i një vendimi me pasoja të gjera historike e politike për të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e Kosovës.”

Në komunikatë, PDK-ja i referohet edhe arsyetimit të Dhomave të Specializuara, duke pretenduar se UÇK-ja trajtohet në kuadër të konceptit të “ndërmarrjes së përbashkët kriminale”.

“Në arsyetimin e Dhomave të Specializuara, UÇK trajtohet në kuadër të konceptit të “ndërmarrjes së përbashkët kriminale”, ndërsa Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, sipas konstatimeve të aktgjykimit, janë shpallur përgjegjës për kontributin e tyre në të ashtuquajturin qëllim të përbashkët kriminal të UÇK-së.”

Partia Demokratike e Kosovës ka përmendur gjithashtu rolin e katër ish-krerëve të UÇK-së gjatë luftës së vitit 1999 dhe raportet e tyre me NATO-n.

“Po të njëjtit, është fakt i njohur se ishin edhe ndër bashkëpunëtorët kryesorë të NATO-s gjatë bombardimeve të caqeve serbe në vitin 1999.”

PDK-ja ka kritikuar deklaratën e ambasadorit britanik, duke thënë se ajo nuk e pasqyron, sipas saj, peshën që ky aktgjykim ka për Kosovën.

“Drejtësia ndërkombëtare, fatkeqësisht, sot në Kosovë po perceptohet vetëm si instrument politik për të përcaktuar se cilat figura politike të Kosovës duhet të largohen nga skena politike dhe cilat duhet të mbështeten, sepse Dhomat e Specializuara janë bërë shembulli më i dukshëm i abuzimit politik në emër të drejtësisë. Kosova e vlerëson rolin historik të Britanisë së Madhe në çlirimin dhe konsolidimin e shtetit tonë, por kritikat ndaj funksionimit të Dhomave të Specializuara janë ngritur edhe nga ekspertë dhe organizata britanike të të drejtave të njeriut. Bar Human Rights Committee of England and Wales ka ngritur shqetësime serioze lidhur me standardet e procesit dhe funksionimin e Dhomave të Specializuara. Këto shqetësime nuk duhet të injorohen nga shtetet që e mbështesin dhe e financojnë këtë institucion, sidomos nga Britania e Madhe. Partia Demokratike e Kosovës do ta kundërshtojë çdo interpretim që shtrembëron të vërtetën historike të luftës në Kosovë. Këtë do ta bëjmë me çdo mjet demokratik, politik dhe juridik, në institucione dhe në çdo hapësirë demokratike ku duhet të dëgjohet zëri i qytetarëve tanë, siç po dëgjohet edhe tani gjithandej botës. Nuk lejojmë që historia e Kosovës të rishkruhet. Të ardhmen e Kosovës e përcaktojnë vetë qytetarët e saj.”

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT