Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT), në kuadër të MINTI-t, ka zhvilluar sot inspektime në disa qytete të Kosovës për të kontrolluar shitjen e cigareve dhe cigareve elektronike në afërsi të institucioneve arsimore.
Aksioni është zhvilluar në Prishtinë, Prizren, Mitrovicë, Gjakovë, Podujevë, Ferizaj dhe Pejë, ku janë kryer gjithsej 20 inspektime.
Si rezultat, 3 raste janë dërguar në procedurë, është shqiptuar 1 gjobë, ndërsa në një rast janë sekuestruar cigare, cigare elektronike dhe produkte të tjera të ndërlidhura.
Sipas IQMT-së, inspektimet kanë për qëllim zbatimin e legjislacionit dhe parandalimin e shitjes së produkteve të duhanit dhe cigareve elektronike pranë shkollave, me fokus të veçantë në mbrojtjen e të miturve.
Inspektorati ka bërë të ditur se kontrollet do të vazhdojnë në të gjithë territorin e Kosovës, me qëllim të respektimit të ligjit, mbrojtjes së konsumatorëve dhe krijimit të një tregu më të sigurt.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


