Ish-i dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Christopher Hill, ka thënë se nuk beson se ish-presidenti i Kosovës dhe ish-udhëheqësi politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, ishte i përfshirë në krime gjatë luftës.
Në një intervistë për “Klan News”, Hill ka komentuar dënimin me gjithsej 81 vjet burgim të ish-krerëve të UÇK-së nga Gjykata Speciale, duke folur edhe për figurën e Thaçit dhe rolin e tij gjatë luftës.
Hill e ka përshkruar Thaçin si një komandant të zotë dhe një person shumë të pjekur për moshën që kishte në atë kohë.
“Hashim Thaçi ishte një personalitet dhe tepër i pjekur për moshën që kishte. Thaçi e kuptoi se Kosova duhet të ishte në një pozitë më të mirë dhe e kam vlerësuar gjithmonë atë. Unë nuk e besoj se ai është përfshirë në krime. Nuk e kam ndjerë nocionin se Thaçi të jetë përfshirë në vepra të paligjshme”, deklaroi Hill.
Duke folur për vendimin e Gjykatës Speciale, Hill tha se shqiptarët nuk duhet të reagojnë me mllef, por të kenë shpresë për procesin e apelit.
“Unë do të apeloja që të mos ketë mllef për këtë vendim. Duhet të shohim përpara dhe të kemi shpresë se vendimi i Apelit do të jetë në favor të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, deklaroi Hill.
Christopher Hill ishte një nga dëshmitarët e mbrojtjes gjatë procesit gjyqësor ndaj Hashim Thaçit dhe ish-krerëve të tjerë të UÇK-së në Hagë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


