Projekti për ndërtimin e Bulevardit të Qytetit në Gjilan është një nga investimet më të mëdha kapitale të Komunës, me vlerë të parashikuar prej rreth 18 milionë eurosh. Për shkak të rëndësisë së tij për zhvillimin urban, lëvizjen e qytetarëve dhe funksionimin e qendrës së qytetit, ky projekt ka tërhequr vëmendje të madhe publike.
Megjithatë, mënyra se si është zhvilluar procedura e prokurimit ka ngritur një sërë pikëpyetjesh lidhur me konkurrencën, transparencën dhe arsyetimin e disa kritereve të vendosura në dosjen e tenderit, raporton Kiks Kosova.
Komuna e Gjilanit e publikoi tenderin më 18 mars 2025, duke u lënë operatorëve vetëm 20 ditë për dorëzimin e ofertave. Më 23 maj u publikua dosja e përmirësuar, ndërsa afati përfundimtar ishte vetëm tri ditë më vonë. Komuna nuk e zgjati afatin, ndonëse Rregullorja për Prokurim Publik kërkon të paktën dhjetë ditë kur ndryshimet publikohen pak para mbylljes së tenderit.
Shkurtimi u arsyetua me nevojën që punimet të nisnin para dimrit. Megjithatë, kontrata u nënshkrua në gusht 2025, ndërsa punimet nisën rreth nëntë muaj më vonë. Kontrata, në vlerë prej 17 milionë e 988 mijë eurosh, iu dha konzorciumit “B-Bardhi”, “Besa Company” dhe “Linda”, edhe pse dy ofertues të tjerë kishin paraqitur çmime rreth gjysmë milioni euro më të ulëta. Ata u eliminuan për mosplotësim të kritereve teknike.
Pikërisht kriteret teknike përbëjnë një nga çështjet më të diskutueshme. Komuna kishte kërkuar një numër të madh pajisjesh, certifikatash dhe makinerish shumë specifike. Ekspertët shqyrtues të OShP-së vlerësuan se disa kërkesa ishin të panevojshme, kufizuese ose nuk lidheshin drejtpërdrejt me punimet. Mes tyre përmendeshin pajisje për zhbllokimin e kanalizimeve, vinç hidraulik, vinç-ashensor deri në 40 metra, traktor me fshirëse dhe automjete të veçanta.
Ekspertët rekomanduan korrigjimin e dosjes dhe zgjatjen e afatit, por Paneli Shqyrtues i OShP-së e la në fuqi vendimin e Komunës. Paneli i cilësoi raportet e ekspertëve si të paargumentuara, pa paraqitur një analizë tjetër teknike që do të dëshmonte domosdoshmërinë e pajisjeve të kontestuara.
Edhe Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik kishte konstatuar se disa kërkesa mund të kufizonin konkurrencën ose të favorizonin operatorë të caktuar. KRPP-ja kundërshtoi kërkesën për 60 punëtorë të regjistruar paraprakisht në Administratën Tatimore, kriteret për disa certifikata dhe shkurtimin e afatit të ofertimit. Megjithatë, rekomandimet kryesore nuk u adresuan plotësisht nga Komuna.
Mungesa e transparencës është ngritur edhe nga opozita lokale. Përfaqësuesit e saj pretendojnë se projekti përfundimtar nuk u është prezantuar asamblistëve dhe qytetarëve, se nuk është mbajtur dëgjim i mirëfilltë publik dhe se mbetet e paqartë nëse leja ndërtimore mbulon të gjithë projektin. Gjithashtu, në kontratën e publikuar mungojnë çmimet për më shumë se 1.500 pozicione, duke e bërë të pamundur verifikimin e plotë publik të kostos së punimeve.
Ndiqni në vijim kronikat e përgatitura nga Kiks Kosova për këtë rast:
Ndiqeni emisionin e plotë:


