Thursday, May 14, 2026
spot_img
HomeLajmeBoshnjaku rrëfen momentin e shtyrjes nga mbrojtja e Kurtit: Pres reagim nga...

Boshnjaku rrëfen momentin e shtyrjes nga mbrojtja e Kurtit: Pres reagim nga kryeministri (VIDEO)

Gazetari nga Mitrovica, Urall Boshnjaku, ka treguar lidhur me incidentin që thotë se i ndodhi me pjesëtarë të mbrojtjes së afërt të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, teksa po tentonte t’i parashtronte një pyetje.

Në emisionin “Kosova Today” në Klan Kosova, Boshnjaku tha se ngjarja ndodhi në momentin kur po e pyeste Kurtin lidhur me deklaratën e një dite më parë të ish- presidentes Vjosa Osmani, e cila kishte folur për një takim të mbyllur mes Kurtit, emisarit europian Miroslav Lajçak dhe presidentit serb Alleksandar Vuqiç.

“Sapo e pyeta Kurtin lidhur me deklaratën e djeshme të Vjosa Osmanit, ku tha se Albin Kurti ishte takuar në një dhomë të mbyllur, me Lajçakun dhe Vuqiçin, dhe askush nuk e di çfarë është diskutuar aty, erdhi reagimi i shpejtë i mbrojtjes së afërt, e cila më shtyu fizikisht”, deklaroi Boshnjaku.

Ai tha se kishte reaguar menjëherë duke i kërkuar pjesëtarit të sigurimit të mos e shtynte, por sipas tij, situata vazhdoi.

“Unë i thashë ‘mos më shty’, por ai vazhdoi. Pastaj iu afrova dhe i thashë se jam duke e bërë punën time”, theksoi ai.

Sipas Boshnjakut, pjesëtari i sigurimit më pas e kishte pyetur për mediumin ku punon.

“I njëjti mu kthye duke më pyetur për emrin e mediumit ku punoj. I thashë Mitropol dhe ia them edhe këtu. Jam Urall Boshnjaku, jam këtu për çkado. Pastaj më tha se nëse e prek edhe një herë, përbën vepër penale. Unë i thashë se nuk jemi këtu për të bërë asgjë penale, por për të bërë pyetje”, deklaroi gazetari.

Boshnjaku tha se pret reagim nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, lidhur me rastin, si dhe nga Asocacioni i Gazetarëve të Kosovës.

“Pres që kryeministri në detyrë, Albin Kurti, të reagojë në lidhje me këtë situatë dhe të ndërmarrë masat e duhura në raport me këtë personel të tij. Po ashtu, pres edhe reagimin e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës”, deklaroi Boshnjaku./Klankosova.tv

Gazetari në Mitrovicë: Mbrojtja e afërt e Kurtit më shtyu fizikisht kur e pyeta për Osmanin

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT