Mesfushori ofensiv i Kombëtares së Kosovës, Bersant Celina, ka nisur një aventurë të re në karrierën e tij, pasi është zyrtarizuar si futbollist i Al-Ettifaq në Arabinë Saudite.
Klubi saudit e bëri të ditur transferimin e 29-vjeçarit përmes platformave zyrtare, vetëm disa javë pasi ai mbylli bashkëpunimin me skuadrën suedeze AIK.
Celina iu bashkua AIK-ut në verën e vitit 2023 fillimisht si i huazuar, ndërsa më pas vazhdoi të ishte pjesë e ekipit. Gjatë periudhës së tij në Suedi, ai zhvilloi 77 ndeshje kampionale, realizoi 11 gola dhe kontribuoi me 14 asistime. Në fillim të korrikut, palët vendosën me marrëveshje ta ndërpresin bashkëpunimin.
Kalimi te Al-Ettifaq hap një faqe të re në karrierën e futbollistit kosovar, i cili gjatë viteve ka ndërtuar një përvojë të pasur në futbollin evropian.
Celina është formuar në akademinë e Manchester Cityt, ndërsa gjatë karrierës ka qenë pjesë edhe e Twente, Ipswich Town, Swansea City, Dijon, Kasımpaşa dhe së fundmi AIK-ut.
Me fanellën e Kosovës, 29-vjeçari ka zhvilluar 38 paraqitje dhe ka shënuar dy gola, duke qenë për një kohë të gjatë një nga emrat më të rëndësishëm të përfaqësueses “Dardane”.
Al-Ettifaq e mbylli sezonin e kaluar në pozitën e shtatë të kampionatit saudit dhe me afrimin e Celinës synon të shtojë cilësinë dhe eksperiencën në repartin ofensiv.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


