Bashkimi Evropian ka vendosur një gjobë prej 200 milionë euro ndaj platformës së tregtisë online Temu, në pronësi kineze, për shkak të shitjes së produkteve të paligjshme dhe potencialisht të rrezikshme për konsumatorët.
Sipas Komisionit Evropian, kompania ka dështuar të identifikojë dhe vlerësojë në mënyrë adekuate rreziqet sistemike që lidhen me produktet e ofruara në platformën e saj, përfshirë lodra për foshnje dhe karikues me defekte.
Hetimet, që kanë nisur që nga tetori i vitit 2024, kanë përfshirë edhe testime të pavarura, të cilat kanë zbuluar se një pjesë e madhe e karikuesve nuk i përmbushnin standardet bazë të sigurisë elektrike, ndërsa disa lodra për fëmijë përmbanin substanca të rrezikshme ose pjesë që mund të shkaktonin mbytje.
Komisioni Evropian ka urdhëruar kompaninë të paraqesë një plan veprimi deri më 28 gusht për të adresuar mangësitë e konstatuara, ndërsa më pas do të vlerësohet nëse janë ndërmarrë masat e nevojshme.
Nga ana e saj, Temu ka kundërshtuar vendimin, duke e cilësuar gjobën si joproporcionale dhe duke deklaruar se është duke shqyrtuar mundësitë ligjore në dispozicion.
Zyrtarë të BE-së kanë theksuar se vendimi synon të dërgojë një mesazh të fortë për respektimin e rregullave të sigurisë në platformat online.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


