Zyrtarët e lartë të Bashkimit Evropian po kërkojnë krijimin e burimeve të reja të të ardhurave në nivel të bllokut për financimin e buxhetit afatgjatë prej 2 trilionë eurosh për periudhën 2028–2034.
Çështja e taksave të reja dominoi takimin joformal të ministrave për Çështje Evropiane, të mbajtur të enjten dhe të premten në Dublin. Propozimi po kundërshtohet nga shtetet anëtare të ashtuquajtura “kursimtare”, të cilat kërkojnë zvogëlimin e buxhetit dhe dyshojnë se burimet e reja do të sigurojnë të ardhura të konsiderueshme, shkruan Euronews.
Ministri francez për Çështje Evropiane, Benjamin Haddad, tha se miratimi i burimeve të reja të financimit është parakusht për arritjen e marrëveshjes për buxhetin.
“Prioriteti ynë është miratimi i një pakete burimesh vetanake në përputhje me propozimin fillestar të Komisionit Evropian”, deklaroi Haddad.
Edhe sekretari spanjoll i Shtetit për BE-në, Fernando Sampedro, kërkoi një buxhet më ambicioz, duke argumentuar se sfidat e reja nuk mund të përballohen me më pak mjete. Ai përmendi si alternativa burimet e reja vetanake, borxhin e përbashkët dhe transferimin e borxhit aktual.
Presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, tha se rrjedhat e reja të të ardhurave do të jenë pjesë thelbësore e marrëveshjes së përgjithshme. Ndërkohë, Parlamenti Evropian po kërkon rritje prej 10 për qind të zërave kryesorë buxhetorë.
Komisioni Evropian vlerëson se propozimet për vendosjen e taksave ndaj shërbimeve digjitale, lojërave të fatit dhe kriptovalutave mund të sigurojnë deri në 11 miliardë euro në vit.
BE-ja synon ta arrijë marrëveshjen për buxhetin deri në fund të vitit. Për miratimin e tij kërkohet pajtimi i të 27 shteteve anëtare dhe miratimi i Parlamentit Evropian.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


