Saturday, August 1, 2026
spot_img
HomeLajmeBasketbolli kosovar në zi, ndahet nga jeta legjenda Mithat Belegu

Basketbolli kosovar në zi, ndahet nga jeta legjenda Mithat Belegu

Është ndarë nga jeta në moshën 88-vjeçare Mithat Belegu, një prej emrave më të rëndësishëm në historinë e basketbollit të Kosovës.

Belegu ka lënë gjurmë të thella në zhvillimin e këtij sporti, veçanërisht në Pejë, ku u konsiderua si një nga pionierët e basketbollit dhe një figurë që kontribuoi për dekada në rritjen e këtij sporti.

Gjatë karrierës së tij të gjatë, ai shërbeu në disa role, si basketbollist, trajner, gjyqtar ndërkombëtar dhe veprimtar sportiv. Në vitet ’60 u vlerësua si një nga basketbollistët më të mirë kosovarë, ndërsa pas përfundimit të karrierës si lojtar vazhdoi angazhimin e tij në shërbim të basketbollit.

Një arritje e veçantë në karrierën e tij ishte fitimi i stemës së gjyqtarit ndërkombëtar të FIBA-s në vitin 1978, duke u bërë shqiptari i parë që arriti këtë nivel në gjykimin e basketbollit ndërkombëtar.

Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në sport, Mithat Belegu ishte nderuar edhe me Medaljen Presidenciale të Meritave nga Presidentja e Republikës së Kosovës.

Lajmi për ndarjen e tij nga jeta ka sjellë reagime të shumta nga komuniteti sportiv, i cili e kujton Belegun si një personalitet të rrallë dhe një nga themeluesit e traditës së basketbollit kosovar.

Varrimi i tij do të mbahet nesër, në orën 14:00, në varrezat e qytetit në Pejë.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT