Klubi gjerman i Bundesligës, TSG Hoffenheim, ka njoftuar zyrtarisht se e ka zgjatur para kohe dhe për një periudhë afatgjatë kontratën me mesfushorin Leon Avdullahu, duke siguruar vazhdimësinë e një prej lojtarëve më të rëndësishëm të skuadrës.
Avdullahu konsiderohet si një nga shtyllat e sezonit aktual te Hoffenheimi, ndërsa klubi e sheh atë si pjesë kyçe të projektit të së ardhmes.
Drejtori sportiv i klubit, Andreas Schicker, e ka vlerësuar lart zhvillimin e mesfushorit të ri:
“Leoni është një shembull perfekt se si mund të zhvillohet një lojtar i ri këtu te TSG. Jam shumë i lumtur që ai dëshiron ta vazhdojë këtë rrugëtim të suksesshëm me ne dhe të mbetet një nga fytyrat kryesore të ekipit. Ai e lexon shumë mirë lojën, është një strateg dhe me vizionin e tij ka rëndësi të madhe për mënyrën si luajmë.”
Edhe vetë Avdullahu është shprehur i lumtur për vazhdimin e bashkëpunimit me klubin gjerman:
“Kur erdha në verë, thashë se jam shumë krenar që jam pjesë e kësaj skuadre dhe e klubit Hoffenheim. Sot kjo ndjenjë është edhe më e fortë. Gjithçka që u diskutua atëherë është realizuar. Dua të vazhdoj të jem pjesë e këtij zhvillimi dhe të kontribuoj për suksesin e ekipit dhe klubit.”
Mesfushori 22-vjeçar iu bashkua Hoffenheimit në verën e vitit 2025 nga FC Basel, pasi kishte fituar “dopietën” në Zvicër.
Deri tani në sezonin aktual, ai ka zhvilluar 31 ndeshje për klubin gjerman.
Para transferimit në Gjermani, Avdullahu ka luajtur 71 ndeshje zyrtare me Baselin, ku ka shënuar 3 gola në kampionat dhe kupë.
Në nivel ndërkombëtar, ai përfaqëson Kosovën dhe me Kombëtaren Dardane ishte shumë afër kualifikimit në Kupën e Botës në muajin e kaluar.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


